Një nga autorët më të respektuar të Amerikës Latine, Huan Rulfo, ishte një romancier meksikan, shkrimtar i tregimeve të shkurtra dhe gjithashtu një fotograf. Është njohur kryesisht për dy libra. Njëri prej të cilëve është ‘Rrafshina në flakë’ (1953), një përmbledhje me tregime të shkurtra, të përkthyer në shqip nga Bajram Karabolli. Libri i dytë është romani, ‘Pedro Páramo’ (1955), pas së cilit Rulfo nuk shkroi më asnjë roman tjetër. Puna e tij me fotografinë është arkivuar në ‘Fondacionin Huan Rulfo’ i cili mbart më shumë se 6000 negative të fotografive të tij.
Megjithëse Rulfo nuk ishte një autor shumë produktiv, duke shkruar vetëm dy libra, ai ende konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit të 20-të, duke pasur ndikim dhe duke frymëzuar shumë autorë të tjerë të Amerikës Latine si Gabriel Garsía Márkez. Rulfo filloi të shkruajë në vitet 1940 dhe në moshën 35 vjeçare ai botoi përmbledhjen e tij me tregime me titull ‘El llano en llamas’ (Rrafshina në flakë). Tregimet përfaqësonin realitetet e ashpra të jetës, duke treguar se bota është një vend mizor për të jetuar. Tregime të vendosura në Meksikën rurale gjatë kohës së Revolucionit Meksikan.
Historia më e mirëpritur e këtij koleksioni, Diles que no me maten! (Thuaju të mos më vrasin!) është ajo e një plaku që pritej të ekzekutohej, roja i burgut i të cilit duket të jetë djali i njeriut që ai kishte vrarë. Një histori tjetër me shumë interes për lexuesit është ¿No oyes ladrar los perros? (A nuk e dëgjoni që lehin qentë?) historia e një burri që dëshpërimisht përpiqet të gjejë një mjek me djalin e tij të plagosur në shpinë.
Pedro Páramo (1955), libri i dytë i Rulfos është një roman i bazuar tek historia e Huan Presiados, i cili shkon në vendlindje për të gjetur babanë pasi nëna e tij sapo kishte vdekur, por nuk gjen asgjë përveç një qyteti fantazmë. Në fillim libri shiti vetëm dy mijë kopje me një përgjigje neutrale nga publiku, por më vonë ai u bë një kontribut i vlerësuar në letërsinë meksikane.
Para se të bëhej shkrimtar, Huan Rulfo bashkë-themeloi revistën letrare ‘Pan’ në 1944-ën. Ai gjithashtu u bë drejtor i departamentit editorial të Institutit Kombëtar për Studime Vendase dhe gjithashtu shërbeu si këshilltar për shkrimtarët e rinj në ‘Centro Mexicano de Escritores’ (Qendra Meksikane e Autorëve).
Juan Rulfo lindi në Sayula, Meksikë, më 16 maj 1918. Ai u rrit në qytetin e San Gabrielit, Halisco, nga gjyshja pas vdekjes së prindërve. Studioi 6 vite të arsimit primar dhe u diplomua si llogaritar pas një viti të shtatë të specializuar. Pasi u transferua në Meksiko Siti, ai hyri në Akademinë Ushtarake Kombëtare për t’u larguar pas 3 muajsh. Punoi si nëpunës emigracioni në Universidad Nacional Autónoma de Mexico, ku dëshironte të studionte juridik, por nuk mundi dot.
Juan Rulfo i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Meksiko Siti, ku vdiq më 7 janar 1986.
Më poshtë, 10 shprehje nga librat e Huan Rulfos:
“Çdo psherëtimë është si një gllënjkë jete që njeriu heq qafe.”
“- Vdiq? Nga se? -Nuk e di nga çfarë. Mbase nga trishtimi. “
“Vdekja nuk mund të shitet si diçka e mirë. Askush nuk e kërkon trishtimin”.
“Nuk ka kujtim, sado i fortë, që nuk zbehet …”
“Më vranë murmurimat ”
“Ke ëndërruar sërish gënjeshtra, Suzana”.
“Unë kam filluar të paguaj. Më mirë të fillosh herët, se mbaron herët “.
“Dhe megjithëse nuk kishte fëmijë që luanin, as pëllumba, as tjengulla me hije blu, unë ndjeva që qyteti ishte gjallë.”
“Qielli ishte mbushur me yje të majmë, të fryrë nga nata e gjatë.”
“Çfarë do të bëj tani me buzët e mia pa gojën e saj për t’i mbushur ato? Çfarë do të bëj me buzët e mia të lënduara? ” /Totila Kotorri