Duke komentuar për sulmin e hakerëve ndaj tubacionit më të madh të naftës në ShBA, Presidenti amerikan Joe Biden tha se Moska mban përgjegjësi megjithëse nuk ka prova për rol direkt në sulmin që sipas agjencive amerikane të zbulimit është kryer nga banda “Darkside”. Ndërkohë, Kremlini mohoi aludimet se ka lidhje me sulmin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se nuk ekzistojnë prova që e lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë ruse me sulmin kibernetik të një grupi me bazë në Rusi, që kishte në shënjestër tubacionin më të madh të transportit të naftës në ShBA.
Të hënën gjatë një konference shtypi, Presidenti Biden tha se do të takohej me homologun e tij rus.
“Do të takohem me Presidentin Putin. Deri tani, nuk ka prova nga agjencitë tona të zbulimit për përfshirje të Rusisë, ndonëse ka prova se sulmi erdhi nga Rusia. Ata kanë përgjegjësi të merren me këtë“, tha zoti Biden.
Ndërkohë, një zyrtare e lartë e sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë tha se agjencitë e zbulimit po punojnë për të përcaktuar nëse hakerat e tubacionit kanë lidhje me qeverinë ruse, gjë që është mohuar nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ai i bëri thirrje Uashingtonit që të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve me qëllim të përmirësimit të sigurisë kibernetike.
“Ne mendojmë se bashkëpunimi në shkallë botërore dhe mes dy vendeve mund të ndihmojë luftën e përbashkët kundër sulmeve kibernetike”, tha zoti Peskov gjatë një konference për gazetarë.
Grupi që e quan veten “Darkside”, një bandë ruse e krimeve kibernetike, tha përmes një deklarate se sulmi mbi tubacionin Colonial kishte për qëllim pasurimin e jo shkaktimin e problemeve në shoqëri.
Deklarata nuk përmendte shumën e parave të kërkuara nga autorët e sulmit.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se vendimi i takon kompanisë ndërsa nuk u shprehën nëse Tubacioni Colonial bëri ndonjë pagesë për grupin e hakerëve.
Kompania po punon me ekspertë privatë për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe rikyçjen e sigurt të tubacionit në rrjetin e internetit.
Incidenti shkaktoi rritjen e çmimeve të brendshme të naftës në shifrat më të larta prej shtatë vitesh.
Ransomware është një program që bllokon hyrjen në një sistem kompjuterik derisa të paguhet një shumë e caktuar parash./VOA/