Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të padisë në gjykatë ish-deputeten e PD, Grida Dumën për shpifje.
Përmes një reagimi zyrtar, Veliaj thekson se dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh.
“Po ndjek përmes shtypit, se si dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, na janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh. Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha gjithashtu asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme.
Ditën e sotme, Partia Demokratike reagoi përmes ish-deputetes, Grida Duma lidhur me përgjimet e antimafias italiane sipas së cilës përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderat publikë pastrohen para për mafian italiane.