Nga: Frrok Çupi
Çudi e madhe, sa shumë i jemi fshehur vetes! ‘Unë të dua ty në qoftë se ti do Partinë time!’. Ka ndodhur që i ka shkruar të fejuarës një partizan komunist gjatë Luftës së Dytë. Po ju, a mendoni se edhe komunisti më i nxehtë do të digjej më parë nga dashuria për partinë se sa nga flaka e vajzës së tij! Sigurisht, por thonë të kundërtën?
Ja kështu fshihen sot pas fustanit të partive. Mes kombeve që e duan më pak kombin- po radhitemi përsëri ne shqiptarët. Me sa duket edhe shkëlqimi ynë i shekullit dhe shteti më i ri Kosova, po zbehen…
Gjikë Kuqali, ai partizani komunist i Luftës së Dytë që i shkroi të fejuarës, do të ndjehej i vogël- i vogël para falsitetit të tanishëm.
Po çfarë po ndodh mes nesh?
1.
Po kthehet njeriu ideologjik:
Përderisa merr më shumë peshë Lul Basha, kryetar i një partie në Tiranë, se sa vetë dilema e kombit: ‘të mbijetojë a të mos…’, atëherë jemi kthyer pas në ‘homo ideologicus’ (njeriu ideologjik), viti 1948, te ‘Ferma e kafshëve’. Ka pasur apo nuk ka pasur qëllim të keq Luli, në fund të fundit ishte i ri, duke u formuar si ‘homo’, por në atë kohë kreu një akt me peshë të rëndë mbi supet e kombit: I shërbeu një paragjykimi tragjik mbi shqiptarët se ‘këta të kapin në rrugë, të nxjerrin zemrën a veshkat dhe t’i shesin’. Ja këtë bëri. A ka bërë gabim Luli? Nëse ai ka prova se shqiptarët si specie, (përveç partisë së tij), janë afër kafshës shumë të ngjashme me njeriun modern, atëherë nuk bën gabim që ta zbulojë. Edhe nëse ka rënë në gropën e zezë duke shitur dëshmitë e Luftës Çlirimtare të Kosovës, as në këtë rast nuk mund ta vësh para murit djaloshin që donte të pasurohej sa më shpejt. Kjo ka ndodhur, dhe tani kombi po e vuan sjelljen e atij që fshehu dëshmitë dhe zhvilloi falsifikimet kundër kombit.
Në një pikë duhet të jemi të përbashkët: Djaloshi i djeshëm Luli, nuk ka më punë me punët e politikës publike!. Kjo është zgjidhja. Aq më tepër kur nga radhët e ‘kombit’ dalin servantë që mbajnë anën e Partisë përkundruall kombit. Këta fshihen pas Partisë sepse fitimet i kanë më të shpejta prej partisë se përfitimet prej kombit. Ky është njeriu që nuk mendon lirshëm. Ky lloj njeriu është ftuar disa herë për të sulmuar kombin, për të djegur vendin, për të shëmtuar fytyrën e racës, duke krijuar ‘homo ideologicus’. Qëllimi kryesor është që të marrin pushtetin e humbur, ta marrin në një periudhë ideologjike, jo përmes vlerës kombëtare.
2.
Kur i shikoj që luftojnë me thikë në dhëmbë, më vjen në mendje Majmuni Akademik.
E zbrazin talentin e tyre nëpër studio televizive, nëpër media sociale, nëpër zvarritje drejt shefit të partisë. Janë disa të tillë. A mendoni se vërtet mendojnë siç flasin e siç luftojnë? Jo, sigurisht, këta nuk kanë ndonjë mendim; veçse bëjnë si ‘akademikë’. Fillimisht janë në dilemën: ‘jam apo nuk jam unë?’, pastaj i sulen kombit ‘je? apo kush je ti?’. Kush mendoi për kombin në 25 janar 2011 kur qeveria shqiptare votoi në Evropë raportin famëkeq të Dik Marty? Kush? Senatori zviceran kishte hartuar një raport njësoj si raportet ‘mbi zhdukjen e shqiptarëve’ që janë hartuar shekujt e kaluar. Ai shkruante se në Mat të Shqipërisë është një shtëpi ku theren serbët dhe u merret zemra e zorrët për shitje”. Tmerr. Por qeveria e kohës e votoi dhe i hapi rrugën botës që kombin shqiptar ta quajë ‘monster’. Vetëm katër ditë para kësaj, në 21 janar 2011, qeveria kishte vrarë në bulevard 4 protestues, duke i krijuar botës ‘paradhomën’ e histerisë së një kombi që nuk njeh civilizim…
Çfarë menduan para se ta bënin? Këta shtetarë menduan me stomak, si majmuni, domethënë me interesin për pushtet dhe pasurim. ‘Majmuni akademik’, një personazh i letërsisë së Franz Kafkës kishte dalë nga stadi i tij i mëparshëm, ishte bërë ‘akademik’ dhe nuk pranonte të kthehej pas. Akademiku tha se në atë botën e tejkaluar kishte menduar vetëm me stomak, e prandaj ‘nuk ka më kthim’. Po të mendojnë për fitime dhe pushtet, si qeveria e vitit 2011, kurrë nuk do të ketë komb për ta, vetëm stomak.
3.
A kemi përballë maskarenj apo fëmijë?
Të gjitha kombet e rruzullit, cilët kapen në tradhti kombëtare, i quajnë ‘maskarenj’. Kombi është si vetë Zoti, ai fal. Ka falur kur politika mori anën e ‘bllokut socialist’, në Jaltë e këndej; ka falur kur u shuajt brenda ditës gjithë pasuria kombëtare e krijuar deri në vitet ’90; kishte falur kur e izoluan; fali luftën e vitit ’97… A duhen falur për aktet e fundit anti- kombëtare në Këshillin e Evropës dhe në Kukës e Mat? Këtë e di zoti (dmth., kombi).
Por a mund ta duash Partinë mbi kombin? Kjo është çfarë quhet ‘maskarallëku’, ndërsa gjithë pjesa tjetër është ‘fëmija’. Që në momentin kur të kuptojmë çfarë i kemi bërë vetes, aty do ta quajmë veten gabimtarë të vetes dhe do të themi se kemi pranuar poshtërimin pa revoltë, madje me ngazëllim. Mbrojtja e ideologjisë së partisë para kombit të çon në ‘poshtërimin pa revoltë’. Këtë po shikoj në studiot televizive dhe në partitë politike. Njeriu nuk është gjithnjë ‘maskara’, por është edhe ‘fëmijë i mirëfilltë’, shkruante Niçe.