Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi që po zhvillon me farmacistët, u shpreh se ka nisur një mungesë e madhe e medikamenteve për kurimin e Covid.
“Nga të afërm të mi nëpër spitale, kam informacione se ka nisur një mungesë e madhe e medikamenteve për kurimin e Covid. Edhe farmacitë kanë pasur probleme me furnizimin e barnave”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati tha gjithashtu se farmacistët nuk kanë qenë pjesë e paketës së qeverisë dhe theksoi dhe një herë se ka skandale me tenderat sekretë ku një maskë blihej me dyfishin e çmimit.
“Farmacistët as formalisht nuk kanë qenë pjesë e paketës së qeverisë dhe ka dy raste që i kanë kushtuar jetën. Qeveria po mundohet të gjejë fajtorë dhe po na përball ne si opozitë me alibi dhe akuza të padrejta, hedhur dhe në drejtimin tuaj për të fshehur skandalin.
Janë hedhur akuza në drejtim të farmacistëve. Ka skandale me tenderat sekretë ku një maskë blihej me dyfishin e çmimit. Të dhënat që më janë përgatitur nga grupi i punës, bëhet fjalë për një maskë që quhet FFP2, që në farmaci blihej me 400 lekë të reja, ndërkohë që në tenderin sekret blihej me 6.5 euro, ose 800 lekë të reja”, tha Basha.