Kredia e re për ekonominë qëndroi në nivele të larta edhe për muajin shtator. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar raportoi kredia të reja në vlerën e 20.7 miliardë lekëve ose rreth 167 milionë euro.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kredia e re për ekonominë u rrit me 4.3%. Vlera e kredisë së re është më e ulët krahasuar me tre muajt pararendës, megjithatë periudha e verës u ndikua nga faktorë specifikë.
Së pari, mbyllja e ekonomisë solli një akumulim të kërkesës për kredi që filloi të gjente përgjigje nga sektori bankar kryesisht pas muajit qershor.
Së dyti, kredia e re u ndikua pjesërisht edhe nga skema e dytë e garancisë sovrane prej 16 miliardë lekësh, e akorduar nga qeveria shqiptare për të mbështetur daljen nga kriza të qeverisë shqiptare.
Megjithëse skema nuk rezultoi shumë e suksesshme, ajo sërish ka pasur një ndikim në nxitjen e kredisë në muajt pas rihapjes së ekonomisë.
Për nëntë muajt e parë të këtij viti, sektori bankar ka disbursuar 166.4 miliardë lekë ose rreth 1.34 miliardë euro kredi të re. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, kredia e re ka pësuar një rënie me 6.5%, e pritshme në kushtet e një krize ekonomike të paprecedentë prej 23 vitesh.
Rënia më e ndjeshme vërehet në segmentin e individëve, ku kredia e re paraqitet në rënie me 12.7% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Por, nga ana tjetër, duhet theksuar se rënia në krediën për individë erdhi sidomos gjatë muajve të mbylljes së ekonomisë.
Pas qershorit, tendenca është në përmirësim gradual dhe të vazhdueshëm. Gjatë shtatorit, kredia e re për individët shënoi vlerën e 6.1 miliardë lekëve, niveli më i lartë i regjistruar këtë vit dhe në rritje me 16% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, kredia për biznesin për 9-mujorin shfaqet në rënie më të përmbajtur, me 3.2%. Bankat kanë dhënë afërsisht 1 miliardë euro kredi për bizneset këtë vit dhe ky segment është mbështetur më shumë në skemat e garancisë të qeverisë shqiptare.
Për shtatorin, kredia e re për biznesin ishte 14.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me shtatorin e vtiit të kaluar.
Shifrat e shtatorit tregojnë se kreditimi i ekonomisë ka fituar një lloj qëndrueshmërie, me një rimëkëmbje ndoshta edhe më të shpejtë se parashikimet, në muajt pas karantinës. Por, e ardhmja sërish ngelet e pasigurt. Keqësimi i gjendjes së pandemisë dhe rreziku në rritje për masa të reja kufizuese janë faktorë që mund të ndikojnë kreditimin gjatë muajve të mbetur të vitit./Monitor/