Historia e Alesias së vogël preku zemrat e shqiptarëve. 7-vjeçarja vuan nga një sëmundje e këmbëve që e pengon të ecë dhe i shkakton shumë dhimbje.
“Nga mesi e poshtë më thotë që kam dhimbje, sidomos kur eci shumë. U detyrova sivjet të blija gomarin që ta çoja në shkollë. Kur e çova atje, të gjithë fëmijët ishin duke ecur normal, vetëm ajo ishte ndryshe. Veç për Alesian qaj natë e ditë,” rrëfente Albina, nëna e saj.
Familja Rrapo jeton në fshatin Kuqar, afro 40 minuta larg Këlcyrës. Dhe për prindërit, të cilët janë në kushte shumë të rënda ekonomike, por edhe shëndetësore ka qenë e pamundur të sigurojnë trajtimin e të bijës.
Menjëherë pas publikimit të rastit në emisionin “Historia e Fundjavës”, vjen edhe një lajm shumë i bukur. Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari bën me dije se Alesia është nisur drejt Turqisë. Atje ajo do të kryejë edhe ndërhyrjen e nevojshme nga mjekët e specializuar.
Gjatë emisionit në Klan+, Hajdari shtoi se veç lajmit për dërgimin e Alesias në Turqi, janë duke përgatitur edhe një surprizë për vogëlushen.
“Ne kemi realizuar shumën që ka nevojë Alesia për operacionin e saj. Fatura nga spitali na ka ardhur 4500 euro vetëm për ndërhyrjen e Alesias. Por, nuk është vetëm ky lajmi i mirë. Rasti i Alesias preku zemrat e shumë njerëzve dhe janë mbledhur më shumë lekë seç ishte nevoja për realizimin e operacionit.
Ne pamë edhe ambientet ku jetonte familja Rrapo, si edhe mënyrën sesi shkonte vajza me gomar në shkollë. E për këtë arsye ne kemi vendosur që t’i rregullojmë edhe shtëpinë. Kjo do të jetë një surprizë për Alesian. E cila kur të kthehet nga Turqia do të ketë dhomën e saj të rregulluar, por edhe një mjet transporti për të shkuar në shkollë.”
Pak ditë më parë, nga Turqia erdhi edhe një tjetër lajm i gëzueshëm. Operacioni i Xhesit, vajzës së vogël e cila vuante nga sëmundja e skoliozës, u krye me sukses. Tashmë 8-vjeçarja i është nënshtruar kontrolleve të mëtejshme dhe shumë shpejt pritet të kthehet në Shqipëri.
Faleminderit gjithë bamirësve!
Bamirësia nuk të varfëron!