Nga Laura Spinney ”The Atlantic”
Humbja e energjisë së muskujve, ishte një nga simptomat më të hershme, shkroi dr. Xhemison, dhe pacientët e tjerë janë prekur më shumë nga mungesa e fuqisë fizike sesa nga çdo gjë tjetër. Ai vuri në dukje impulse të ngadalta dhe raste të “problemeve mendore” që vazhdojnë deri në shërbimin e plotë.
Disa nga problemet mendore morën formën e delirit, të tjerat të apatisë dhe depresionit. Xhemison ishte duke punuar në një spital në Ishullin e Jugut të Zelandës së Re gjatë pandemisë së Gripit Spanjoll të vitin 1918.
Dëshmia e tij ishte një nga shumë dëshmitë e regjistruara nga historiani Xhefri Rajs në atë periudhë të tmerrshme, dhe të botuara në vitin 2018, me rastin e 100-vjetorit të asaj katastrofe. Ndërsa po e lexoja së fundmi këtë libër, 10 muaj nga nisja e një pandemie të re, ka shumë gjëra të ngjashme:”Njerëzit rrëzohen përtokë, dhe janë shumë të dobët fizikisht”; “Nëna ime u shërua, por ajo kishte anginë, dhe vdiq disa vjet më vonë nga një sulm në zemër”; “Ajo nuk ishte më kurrë e njëjta vajzë”; “Unë nuk e rifitova kurrë shëndetin që kisha para se të sëmuresha”.
Simptomat e zgjatura në kohë, nuk ishin të kufizuara vetëm në Zelandën e Re. Ata u raportuan në gjithë botën, ashtu si sot në kontekstin e një sëmundjeje tjetër, Covid-19. Në vitin 2020, ato janë bashkuar së bashku nën etiketën “Long Covid” (Covid i zgjatur).
Megjithëse simptomat ndryshojnë, ka një jehonë të frikshme të Gripit Spanjoll, dhe në të dyja rastet simptomat janë shumë të ndryshme. Në rastin e “Long Covid”, thotë e ish e sëmura me Covid-19 nga Birmingemi në Britani, Kler Hasti, simptomat përfshijnë dhimbje të ngjashme me artritin, aromat e panjohura dhe dridhjet trupore.
Në fillim të muaji majit ajo krijoi në Facebook grupin e mbështetjes për pacientet me simptoma të gjata nga Covid, ku të tjerët që vuanin prej tyre të mund të ndanin përvojat, në një kohë kur bota mjekësore kishte shumë pak për të thënë rreth tyre.
“Hipoteza ime, është se ekziston një nëngrup i popullatës njerëzore, që fatkeqësisht do të shkatërrohet nga Covid-19”-thotë Karlos Bustamante, që studion gjenetikën e popullatës në Universitetin e Stenford në Kaliforni, dhe një nga shkencëtarët e shumtë që po përpiqen të shpjegojnë faktorët që ndikojnë tek pasojat afatgjata që lë pas Covid-19.
Një nga përkufizimet e ”Long Covid” është “mos-shërimi i plotë për disa javë ose muaj pas fillimit të simptomave që sugjeronin prekjen nga Covid, pavarësisht nëse jeni testuar apo jo”. Por disa mjekë thonë se ky përkufizim është shumë i paqartë për të qenë i dobishëm.
“Covid i tezgjatur” e tejkalon praninë e Sars-CoV-2 në trup, të paktën në nivele të zbulueshme. Ndoshta shfaqja më e zakonshme është lodhja dhe marrja e frymës. “Dikur ecja 20 km me biçikletë çdo ditë, dhe tani përdor një karrige me rrota edhe kur kam nevojë të dal nga shtëpia”-thotë Hasti. Lodhja fizike mund të zgjasë me javë ose muaj, por në shumicën e rasteve zbehet.
Kur nuk ndodh kështu, gjendja e një pacienti mund t’i ngjajë “sindromës së lodhjes kronike” (CFS), e konsideruar si një tërësi kushtesh, shkaqet e të cilave janë ende të paqarta. Askush ende nuk e di se sa mund të zgjasë “Long Covid’, apo nëse ka forma të tij që do të shfaqen vetëm pas vitesh apo dekadash nga tani.
Megjithatë, një gjë duket e qartë. “Virusi prek gjithë trupin”-thotë Majkëll Zandi, neurolog në Kolgjin Universitar në Londër (UCL) që po studion efektet e Covid-19 në tru. Kjo dukuri nuk është e habitshme për Debi van Riel, virologe në Universitetin Erasmus në Roterdam, Holandë.
Për vite me radhë, në qelizat njerëzore të kultivuara në laborator, dhe modelet shtazore dhe ato tek pacientët, ajo ka vërejtur shkatërrimet që shkakton gripi përtej traktit respirator. Ajo e ka parë këtë gjë tek gripi agresiv i “shpendëve” H5N1”, që deri vitin e kaluar konsiderohej si një kandidat kryesor për shkakun e pandemisë tjetër; tek gripi “ i derrit” H1N1 që shkaktoi mini- pandeminë e vitit 2009.
Në fillim të këtij viti, Van Riel e ktheu vëmendjen e saj tek Sars-CoV-2, dhe pa se ndonëse sillet ndryshe nga gripi, ky virus ka gjithashtu efekte përtej traktit respirator. Sidoqoftë, janë ditët e para, ato kur kuptohet se çfarë i bën virusi pjesën tjetër të trupit.
Siç vë në dukje Zandi, shumë pacientë me gjendje të lidhura me Covid-19, si goditjet në tru dhe sulmet në zemër, kanë prirjen të qëndrojnë larg spitaleve në pranverë. Prandaj tabloja plotë klinike po shfaqet gradualisht.
Një gjendje veçanërisht e zakonshme në muajt e parë ishte encefalomieliti akut i shpërndarë, që dëmton lëndën e bardhë në tru dhe palcën kurrizore, dhe që mund të çojë në simptoma, që përfshijnë dëmtimin e shikimit dhe dobësinë e muskujve, madje edhe paralizën.
Nuk kishte asnjë korrelacion midis këtij komplikacioni, dhe ashpërsisë së simptomave të frymëmarrjes. Po grumbullohen prova që në një pjesë të panjohur por ndoshta të vogël të rasteve, infeksioni me Sars-CoV-2 mund të shkaktojë dëmtime në mushkëri, zemër, enët e gjakut, zorrë dhe veshka gjithashtu.
Se pse ndodh kjo nuk është e qartë. Van Riel po teston dy hipoteza:që vetë virusi përhapet në indet e tjera, duke shkaktuar një reagim inflamator të dëmshëm, që arrin deri tek indet përmes gjakut. Të tjerët janë duke eksploruar teori të ndryshme, për shembull se si gjaku mpikset.
Edhe pse rikuperimi nga dëmtimi i trurit dhe zemrës, mund të zgjasë me muaj, shumë studiues e shohin Covid-19 si një mundësi për të studiuar efektet afatgjata të viruseve në mënyrë perspektive. Këtu mund të ndihmojnë aplikacionet për gjurmimin e kontakteve, por vetëm nëse të dhënat që ato mbledhin mund të lidhen me të dhënat e spitaleve, gjë që paraqet probleme me privatësinë.
Karlos Bustamante është i përfshirë në kërkime që do të ndjekin për 2 vjet ecurinë e shëndetit të 10.000 njrëzve pozitivë m Covid-19, si të rritur ashtu edhe fëmijë. Një pyetje të cilës ai shpreson t’i japë përgjigje, është se si përbërja gjenetike e një personi dikton përvojën e tij nga një sëmundjes, përfshirë atë nëse ajo do të jetë e shkurtër apo e gjatë.
Ai është veçanërisht i interesuar për sindromën inflamatore multisistemale tek fëmijët (MIS-C), një ndërlikim i rrallë pediatrik i Covid-19, që përfshin inflamacionin e shumë indeve, simptomat e të cilave përfshijnë dhimbje koke, të vjella, dhimbje barku dhe lodhje.
Një nga misteret e gripit të vitit 1918, është nëse ai ishte shkaku i një pandemie të mëvonshme të encefalitit lethargica (EL), një formë e inflamacionit të trurit që mendohet të ketë prekur një milion njerëz në të gjithë botën në fillim të viteve 1920. Prej tyre, afërsisht një e treta vdiqën, një e treta u shëruan, dhe një e treta zhvilloi vite më vonë një formë të sëmundjes së Parkinsonit.
Shembulli historik i EL ka nxitur disa shkencëtarë të pyesin nëse Sars-CoV-2, mund të ketë efekte shumë afatgjata në tru. Xhon Hardi, një gjenetist që e studion këtë sëmundje neurodegjenerative në Universitetin e Kalifornisë, supozon se inflamacioni kronik i nivelit të ulët e nxit një proteinë të trurit të quajtur ‘tau’ të formojë rrjete anormale brenda qelizave të trurit, që shoqërohen me sëmundje neurodegjenerative si Alzheimer dhe Parkinsoni.
Kolektivisht të quajtura tauopati, këto sëmundje përfshijnë disa sëmundje të rralla. Njëra është sëmundja e Guamit, e cila është zhdukur nga ishulli i Mikronezisës, pasi e dërrmoi popullatën atje për më shumë se gjysmë shekulli.
Tjetra është sindroma e dridhjes së kokës e Afrikës Lindore. Sëmundja e Guam i ngjan sklerozës anësore amiotrofike, sëmundjes që goditi fizikantin Stefën Houkiong, ndërsa sindroma e dridhjes së kokës përshkruhet si një formë epilepsie, por që të dyja kanë shumë të përbashkëta me Parkinsonizmin post-encefalitik.
“Ne duhet të vëzhgojmë pasojat e Covid edhe pas 30 vjetësh”– thotë Hardi. Por ekspertë të tjerë paralajmërojnë që të mos bëhen shumë paralele historike me atë që në fund të fundit, është një sëmundje e re.
Burimi i lajmit: https://www.newstatesman.com/politics/health/2020/10/scars-long-covid
Përshtatur nga Tirana Today