Nga: Dan Haverty “Foreign Policy”
Mëngjesin e të premtes, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ai dhe gruaja e tij, Melania Trump, kishin rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri. Ata u testuan pasi mësuan se këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Houp Hiks, që zakonisht kalon shumë kohë në Zyrën Ovale, dhe udhëton shpesh me presidentin, ishte infektuar nga Covid-19. Trump tha se ai dhe Zonja e Parë ndiheshin mirë, dhe se do të futeshin mënjëherë në karantinë në Shtëpinë e Bardhë.
Sa kohë ka që është infektuar presidenti?
Njoftimi në orën 1 pas mesnatës, nxiti menjëherë disa pikëpyetje në lidhje me kohën e infektimit të presidentit Trump, dhe nëse edhe të tjerët me të cilët ai ka qenë në kontakt të ngushtë, mund të jenë ekspozuar ndaj virusit, përfshirë rivalin e tij në garë Xho Bajden, që ishte në të njëjtin panel me Trumpin në debatin presidencial të së martës në mbrëmje.
Hiks është një nga njerëzit më të afërt të stafit të presidentit. Ajo udhëtoi bashkë me Trumpin në Pensilvani për një tubim elektoral fundjavën e shkuar, dhe prej andej në Klivlend për debatin e së martës.
Sipas “The Washington Post”, Hiks ka qenë pranë presidentit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Ajo u fotografua pa maskë në tubimin e Pensilvanisë me ndihmësit e tjerë të Trumpit, dhe në Klivlend duke zbritur nga “Air Force One”.
Ajo rezultoi pozitive pasi shfaqi simptoma gjatë një tubimi të mërkurën në Minesota, dhe thuhet se ishte në karantinë në avionin presidencial kur po rikthehej në Uashington. Edhe pasi mësoi se Hiks kishte simptoma të dukshme të COVID-19, presidenti nuk e ndali fushatën e tij.
Trump shkoi të enjten në Nju Xhersi, ku mori pjesë në një mbledhje fondesh në klubin e tij të golfit në Bedminster, dhe mbajti një fjalim. Sipas “The Washington Post”, Trump ishte në kontakt të ngushtë me dhjetëra njerëz të tjerë, përfshirë mbështetës të fushatës së tij në një tryezë të rrumbullakët, dhe ai nuk mbajti maskë as në aktivitetin në klubin e golfit, dhe as në avionin presidencial.
A do të ndryshojë kjo garën e presidentit?
Lajmi për infektimin e Trumpit, mund të tronditë garën presidenciale, pasi jemi vetëm 1 muaj para zgjedhjeve. Por shumëçka do të varet nga ashpërsia e simptomave që do shkaktojë virusi. Duke qenë se Trump ka minimizuar në mënyrë të përsëritur rreziqet e koronavirusit, dhe ka qenë kritik ndaj mbajtjes së maskave, sëmundja e tij mund të ketë një ndikim në perceptimin e votuesve amerikanë.
Trump ka anuluar angazhimet e tij publike, dhe ka premtuar të qëndrojë në karantinë, një ndryshim ky dramatik pas muajsh të tërë talljeje me Xho Bajdenin për mbajtjen e maskës nga ana e këtij të fundit, dhe paraqitjet e pakta të tij në fushatë pikërisht për shkak të pandemisë.
Të martën, kur u pyet për vendimin e tij për të mbajtur tubim të madh elektoral, ku shumica e njerëzve nuk mbanin maska, presidenti ishte sërish mospërfillës:”Ne nuk kemi pasur asnjë efekt negativ, dhe të mendosh se kemi pasur edhe 35-40 mijë njerëz në disanga këto tubime”, tha Trump.
Sa serioze mund të jenë rreziqet shëndetësore, me të cilat mund të përballet Trump?
Trump nuk është udhëheqësi i parë botëror që preket nga koronavirusi. Presidenti brazilian Zhair Bolsonaro u infektua dhe u shërua. Ndërsa kryeministri britanik Boris Xhonson përfundoi në një repart të kujdesit intensiv, kur u prek nga Covid-19, por në fund fatmirësisht u shërua.
Por siç vëren “The New York Times”, kur një udhëheqës është i sëmurë dhe i izoluar, kjo mund të jetë shumë problematike. “Përvoja e Britanisë, tregon se edhe në një vend me një sistem politik të mirë-organizuar, sëmurja e papritur e një lideri mund të jetë thellësisht shqetësuese.
Kur Xhonson u prek nga virusi në mars, qeveria ishte në kaos për disa ditë, ndërsa ai përpiqej të koordinonte reagimin ndaj pandemisë, përmes mbledhjeve online nga platforma “Zoom”, nga rezidenca e tij zyrtare në Dauning Strit ku dhe ishte izoluar.
Për shkak të moshës së tij, Trump hyn në kategorinë e njerëzve më të rrezikuar sesa Bolsonaro dhe Xhonson. Berri Dikon, një mjek i kujdesit intensiv në spitalin Shën Vincent në Melburn të Australisë deklaroi për “The Guardian”: “Ai është shumë më i rrezikuar të vdesë nëse preket nga një pneumoni e rëndë… Faktorët kryesorë të rrezikut për Trump janë mosha e tij, dhe fakti që është mbipeshë”.
Simptomat e lehta menjëherë pas infektimi nuk janë një tregues i mirë, se sa e rëndë do të jetë sëmundja. Xhonson ishte i shëndetshëm dhe punonte ditët e para pasi kishte dalë pozitiv me koronavirusin, por pastaj gjërat morën një kthesë dramatike”.
“Ne priremi t’i shohim njerëzit me simptoma shumë të lehta javën e parë, dhe kjo është tipike. Ndërkohë në javën e dytë, ata zakonisht zhvillojnë ose jo pneumoni. Kemi të bëjmë me një përkeqësim të shpejtë të gjendjes shëndetësore, dhe kjo është ajo që pamë me Boris Xhonsonin”, thotë Dikson.
Çfarë ndodh nëse përkeqësohet gjendja e tij shëndetësore?
Nëse Trump shtrohet në spital ose është i paaftë të ushtrojë detyrën, ai mund t’i referohet Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, dhe t’ia transferojë përkohësisht pushtetin zëvendëspresidentit Majk Pens, dhe të rimarrë kompetencat pasi të shërohet.
Kjo ka ndodhur tre herë që kur amendamenti në fjalë hyri në fuqi në vitin 1967. Presidenti Ronald Regan e evokoi atë për 8 orë në vitin 1985, gjatë një operacioni në spital, dhe Xhorxh W.Bush ia kaloi pushtetin për gati 2 orë zëvendësit të tij, kur iu nënshtrua kolonoskopisë në vitet 2002 dhe 2007. Nëse një president amerikan vdes në detyrë, zëvendëspresidenti betohet si president.
Burimi i lajmit: https://foreignpolicy.com/2020/10/02/trump-has-covid-19-how-will-it-affect-the-campaign/
Përshtatur nga TIRANA TODAY