Sikundër njoftoi kryeministri Rama, Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik bëjnë të ditura kushtet e hapjes së ambienteve të brendshme të lokaleve.
Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar protokollet e sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave në ambiente të mbyllura.
Gjatë një konference për mediat, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu sqaroi se do të vijojnë të mbeten të mbyllura klubet e natës, pub-et e disko-t, apo veprimtari të këtij lloji.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka prezantuar planin e lehtësimit të masave për muajt në vijim, ku bën me dije se do të rihapen baret, restorantet dhe pishinat në ambiente të mbyllura.
“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, bën me dije Manastirliu.
“Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.