Presidenti Ilir Meta zbuloi në një konferencë për shtyp, se do i dërgojë qeverisë një kalendar me frekuencën e kalimeve në kufi të emigrantëve shqiptarë, për të vepruar në kohën e duhur për parandalimin e situatave si në Kakavijë.
“Do i çoj që nesër një kalendar qeverisë, për të pasur parasysh frekuencën e kalimeve në kufi gjatë një viti, i dimë të gjitha, kohën kur vijnë, e kohën kur largohen”.
Meta kërkoi falje në emër të shtetit shqiptar, ndaj të gjithë qytetarëve që ishin pjesë e situatës së krizës në kufi. “Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar, për të gjithë qytetarët që për ditë të tëra kaluan momente tepër të vështira në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.
Jemi vend rekord për emigrantët ndaj të gjithë, e në mënyrë të veçantë kryeministri, ministrat e linjës, dhe strukturat kryesore duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve tanë, të freskojnë informacionin për lëvizjen jashtë kufijve dhe të sigurojë tampon falas për emigrantët. Një tampon prej 120 eurosh është i papërballueshëm, të subvencionojë tamponët dhe të marrë masat që situata të mos përsëritet në asnjë pikë të kalimit të kufirit”.