Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, ka përcjellë një reagim referuar situatës kaotike në pikën kufitare të Kakavijës. Ajo apelon ndaj qeverisë që të lërë pushimet, e ti japë zgjidhje grumbullimeve masive e të pakontrolluara që përbëjnë rrezik për të gjithë.
Rudina Hajdari u ka kërkuar banorëve të Gjirokastrës që të solidarizohen, duke dhuruar ujë e ushqime por edhe duke strehuar nëse munden fëmijët e të moshuarit. Sipas saj, ndodhur në kushtet kur qeveria të lë në baltë, mbetet që qytetarët të përkrahin njëri-tjetrin.
Statusi
Jam shumë e shqetësuar për fatin e mijëra bashkëqytetarëve të cilët po vuajnë rradhët e stërgjata në Kakavije. Së pari dua ti bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës të solidarizohen sa të munden me ata që kanë hall sot, duke dhuruar ujë e ushqime por edhe duke strehuar nëse munden fëmijët e të moshuarit. Kur qeveria na lë në baltë, duhet të përkrahim fort njëri tjetrin.
Së dyti i bëj thirrje qeverisë të lerë pushimet dhe deklaratat boshe por te hidhet urgjent në aksion konkret për të zgjidhur këtë situatë. Nuk është koha as për plazh e as për deklarata politike. Situata e krijuar po rrezikon jetët e njerëzve.
Së pari nga Covid, sepse grumbullimet janë masive dhe të pakontrolluara e së dyti nga temperaturat e larta dhe rreziku i dehidratimit, për shkak se nuk ka mundësi furnizimi me ujë të pijshëm.
Njerëzit kanë hall dhe e kanë urgjent!!
Personalisht do të angazhohem në biseda me homologë të Parlamentit Grek për të ndihmuar sadopak në zgjidhjen e situatës.