Vijon ende aksioni i policisë për të gjetur tre skafistët që braktisën gomonen në Vlorë, pas disa orësh ndjekjeje.
Që prej orës 7 të mëngjesit policia e Vlorës, Delta Force, roja bregdetare dhe Guardia di Finanza ndoqën një gomone me tre persona në bord e cila u diktua të kryente manovra të dyshimta pranë brigjeve të ishullit të Sazanit.
Gomonia u braktis pasi arriti në grykëderdhjen e Vjosës në afërsi të urës së Mifolit.
Bëhet me dije se skafistët që po kërkohen nga dhjetëra forca policie, kanë qenë të maskuar me kapuçë në kokë kur janë diktuar gjatë zbritjes në breg. Ndërkohë, janë rreth 120 forca që po kryejnë kontrolle edhe me dron në një territor me pyllësi te dendur rreth fshatit Mifol.
Në bord nuk u gjet as drogë edhe as ndonjë ngarkesë e dyshimtë, por dyshohet se ajo mund të jetë hedhur në det.