Amerikanët po orientojnë zemërimin e tyre ndaj njëri-tjetrit, duke përdorur retorikë ku përmendet raca, klasa dhe kultura.
Nuk mund të bien dakord as për nevojën për të veshur një maskë për t’u mbrojtur nga një virus që ka vrarë më shumë se 100’000 amerikanë. Këto forca janë duke konverguar ndërsa vendi u afrohet zgjedhjeve presidenciale jo të zakonshme.
Shtetet e Bashkuara po u afrohen zgjedhjeve presidenciale.
Presidenti Donald Trump vazhdon ta portretizojë veten me një axhendë të rrënjosur në nacionalizëm dhe që trazon përçarjet raciale. Rivali i tij demokrat, Joe Biden, bën thirrje për një rikthim kombëtar në diçka që mund t’i ngjajë normales.
“Ai po punon për popullin amerikan. Ai dëshiron t’i rikthejë vendet e punës. Dhe ai i ka rikthyer punët”, tha Tom Roy, nënkryetar i Partisë Republikane në bashkinë Saginaw, Michigan.
Është në vende si bashkia Saginaw – e cila kaloi nga votimi për Presidentin Barack Obama tek votimi për Presidentin Trump në 2016 – nga ku ka të ngjarë të vijë qartësia për të ardhmen e Amerikës.
Katër vjet më parë, votuesit në këtë zonë i besuan Presidentit Trump të rigjallërojë zemrën e saj industriale që po shuhej.
Megjithatë, njerëzit në qytetin Saginaw tani po përballen me një shkallë të lartë të papunësisë. Ka pasur më shumë se 100 vdekje të konfirmuara deri më tani nga COVID-19, ndër më të lartat për frymë në të gjithë vendin. Dhe megjithë vështirësitë, ose për shkak të tyre, Dave Adams beson se qyteti Saginaw mund të ndihmojë në shpëtimin e Amerikës – nga Presidenti Trump.
Deri në muajin shkurt, Adams punonte në Shkollën e Mesme Swan Valley. Ai i mësonte dikur studentët të respektonin presidencën.
Tani ai e gjen veten gjithnjë e më të zemëruar dhe të trazuar. Adams la punën e tij dhe do të ndihmojë për të nxitur votuesit demokratë.
“Askush nuk është i lumtur për atë që po ndodh. Por ka diçka që mund të bëjmë. Dhe kjo është përfshirja politikisht në mënyrë që të përpiqemi t’i ndryshojmë gjërat”, tha Adams.
Shenja e fushatës në kopshtin e Kevin Hayes është një shenjë inkurajuese për demokratët: “Riktheni Amerikën, hidheni Trump-in”.
20-vjeçari Hayes u kthye në Saginaw nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit, pasi pandemia mbylli kampusin. Ai e ka kaluar kohën gjatë së cilës do të kishte qenë në shkollë duke u përpjekur të mobilizojë, duke organizuar takime në Zoom dhe duke marrë miqtë në telefon.
“Mendoj se e vetmja gjë pozitive që del nga e gjithë kjo është se do të shohim një pjesëmarrje shumë më të lartë të votuesve këtu”, tha zoti Hayes.
Pastor Hurley Coleman është kreu i një kishe të themeluar nga prindërit e tij në vitin 1957 në shtëpinë e tyre në anën lindore të qytetit Saginaw. Ai e di se janë kohëra të vështira për të folur për shpresën.
Muajin e kaluar, ai humbi një nga besimtarët nga dhuna me armë.
Shumë në kongregacionin e tij po përpiqen të mbijetojnë me punë me paga të ulëta ose si punonjës në vijën e parë të sistemit shëndetësor. Ai nuk ka kryer një predikim në person prej disa javësh, por ka marrë pjesë në tre marshime që nga muaji i kaluar.
Gjatë protestave të fundit ishte hera e parë që ai kishte parë që afrikano-amerikanë dhe të bardhë marshojnë së bashku në Saginaw për barazinë racore, tha ai.
Ata ecnin së bashku – duke kaluar urën mbi lumin Saginaw – për të bërë thirrje për ndryshim. E bëri atë të mendojë se ky mund të jetë një moment i trazirave të atilla, saqë edhe barrierat e vjetra bien dhe përçarjet largohen.
“Kam jashtëzakonisht shpresë për shkak të kësaj mbledhjeje entuziazmi dhe energjie që gjendet në rrugë, që është në komunitetet tona tani”, tha pastori Coleman. /Voa