Komisioni Evropian ka rishikuar me ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike në 2020-n, ndonëse ka vlerësuar se më e keqja mund të ketë kaluar, pasi bizneset po rimëkëmben. Italia ka një pritshmëri shumë negative, me një rënie dy herë më të lartë sesa Gjermania, shkruan il Sole24ore.
«Ndikimi ekonomik i infeksionit është më i rëndë sesa pritej fillimisht – tha zv/presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis –. Vazhdojmë të notojmë në ujëra të turbullta dhe përballemi me shumë rreziqe, një prej të cilave është vala e rëndë e infeksionit».
Për eurozonën, ekonomia do të bjerë me 8,7% në 2020 (7,7% ishte vlerësimi në maj). Rimëkëmbja pritet me 6,1% në 2021 (6,3% ishte parashikuar në maj).
Për Italinë, që është partneri kryesor i Shqipërisë për eksportet, me rreth 50% të totalit, tkurrja ekonomike pritet edhe më e thellë, me -11,2% këtë vit, me një rimëkëmbje prej 6,1% vitin e ardhshëm. Në maj, Komisioni i kishte parashikuar këto shifra përkatësisht: -9,5% e +6,5%.
Recesioni italian është pothuajse dyfish në krahasim me atë gjerman (-11.2% krahasuar me -6.3%) Për sa i përket Italisë, vendi i zonës së euros me vlerësimin ekonomik më zhgënjyes, Komisioni vëren se industria duhet të rimarrë veten para turizmit. Kthimi i rritjes në nivelet e vitit 2019 pritet vetëm në fund të vitit 2021. “Pritshmëria e rritjes mbetet subjekt i rreziqeve të shtuara”.
Një recesion i zgjatur në tregun e punës, pasi të kenë përfunduar masat e urgjencës dhe të ketë rënë më tej besimi i konsumatorëve mund të frenojë rikuperimin e pritur. ” Sa i përket inflacionit, Komisioni Evropian vlerëson se çmimet e konsumit në zonën e euros pritet të rriten me vetëm 0.3% me bazë vjetore në vitin 2020 dhe 1.1% në vit në 2021.
Ka vende ku inflacioni ka të ngjarë të jetë negativ këtë vit: Spanja, Greqia, Irlanda dhe Qipro. Në Itali, nga ana tjetër, çmimet e konsumit pritet të jenë të qëndrueshme. Të dhënat justifikojnë politikën monetare jashtëzakonisht të gjerë të Bankës Qendrore Evropiane. /Monitor