Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, është shprehur se rikthimi i figurave të hershme të PD-së si Jozefina Topalli, Astrit Patozi e Bamir Topi, do t’i bënin mirë partisë.
Në një intervistë për emisionin “Në fokus” në TvT, Ristani komentoi edhe marrëveshjen e arritur për reformën zgjedhore. Ai tha se opozita ia doli në dy pika, por mbetet objektiv i papërmbushur votimi elektronik.
“Përvoja ka treguar se hapja dhe aktivizimi i të gjithë potencialeve që ka PD, konsiderimi dhe vlerësimi i të gjitha eksperiencave nuk duhet të shkojë dëm. Ne duhet ta përdorim të gjithë potencialin që kemi, përvojën dhe investimin intelektual që ka krijuar. Besoj që të gjithë po të jemi së bashku edhe njëherë, vetëm mirë i bëjmë PD-së.
Marrëveshja nuk ka të bëjë thjesht me KQZ-në. Ka një fitore të qenësishme të opozitës që ka të bëjë me pranimin e identifikimit biometrik. E dyta, marrëveshja ndërpreu iniciativën e fortë të qeverisë dhe kryeministrit Rama për të manipuluar procesin përmes njerëzve të besuar në administratë. Për mua duhej të kishte shkuar akoma më thellë. Duhej shkuar te votimi elektronik. Por si fazë e parë, pranimi i identifikimit biometrik është një masë që shmang një pjesë të manipulimit zgjedhor”, tha ai.