Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka ndarë me qytetarët një situatë aspak të pazakondtë që i ka ndodhur me policinë, ku i ka shkuar herët në mëngjes për ta shoqëruar në rajon. Sipas tij, kjo është një teknikë e qeverisë, si për të marrë ‘hak’ ndaj opozitës.
Në një intervistë në “Ora News”, ai shigjetoi qeverinë se po përdor policinë për presion ndaj opozitës dhe angazhimet e saj për denoncime dhe mbrojtjen e votës. Ish-deputeti sqaron më tej se bëhet fjalë për arrestimin e tij të dytë në një nga protestat e opozitës, por ai shton se duhet që Prokuroria t’i kishte dërguar një letër për ta firmosur, jo të vinte policia në shtëpi.
“Unë kam me qindra çështje penale që janë fiktive, të cilat janë bërë me urdhër të Ramës, për shkak të aksionit të opozitës. Në rastin konkret, bëhet fjalë për arrestimin e dytë timin, për të cilin Prokuroria sot, ka mbyllur hetimin dhe kërkon që unë të shkoj dhe të firmos.
Kjo është normale, por Prokuroria të dërgon një letër, nuk të vjen policia në 7 të mëngjesit duke më thënë që duhet të shkoj të rajoni i policisë, kur unë s’kam punë atje, por duhet të shkoj në Prokurori bashkë me avokatin tim, për firmosjen e dokumenteve.
Pyeta përfaqësuesin e policisë, dhe më tha se po bëhet një lojë me topa e llastiqe. Unë u thash se nuk jam unë topi që të luani me llastiqe. Duhet të shkoni te prokurori. Këta përdorin në mënyrë meskine policinë për presion ndaj opozitës, dhe angazhimet e saj për denoncime dhe mbrojtjen e votës. Kjo është e habitshme që kjo policia vjen qysh në 7 të mëngjesit për të ardhur te shtëpia e opozitës, apo e ndonjë qytetari të thjeshtë, kur nuk është vrarë njeri, por vetëm është mbrojtur interesi publik në një aferë korruptive, për të cilën nuk ka asnjë të arrestuar. Më vjen shumë keq që e them, por policia e shtetit është vegël e një pushteti të inkriminuar, është e kapur”.