Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shprehet se ende nuk është bërë e ditur tema e bisedimeve në Uashington.
Vuçiç theksoi se nuk pret gjëra spektakolare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse do të më pyesnit se a do të ndodhë diçka, për të cilën disa dëshirojnë të shkruajnë, unë nuk pres gjëra spektakolare. Pres bisedime racionale. Këto janë pritjet e mia. Serbia është e vogël që ta urdhërojë Shtëpinë e Bardhë, por është mjaftueshëm e madhe që të thotë se cilat janë interesat e saj, të cilat duhet t’i mbrojë”, tha ai.
I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka njoftuar se delegacionet e të dy vendeve Kosovë-Serbi do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë “për të biseduar për dialogun”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur më parë se Prishtina do të kërkojë njohjen e pavarësisë në këto bisedime. Ndërsa pas kësaj deklarate, Vuçiç deklaroi se në rast se delegacioni i Kosovës niset në Uashington me këtë platformë, atëherë është më mirë që të mos vijë fare.
“Për tetë vjet jam duke e dëgjuar të njëjtin rrëfim dhe për tetë vjet jemi duke e nxjerrë Serbinë nga humnera dhe pusi i shkatërrimit të interesave nacionale dhe poshtërimit të Serbisë. Serbia, e cila ka kërkuar falje për çfarë duhet dhe për çfarë nuk duhet, e cila nuk ka pasur reputacion, nuk ka pasur ushtri dhe polici. Edhe tash nuk është e preferuara e të gjithëve, por është e respektuar”, shtoi ai.