Kryetari i grupit demokrat, Myslim Murrizi ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi lidhur me ndryshimet që u bënë në Kodin Penal në kuadër të gjendjes së krizës së krijuar nga koronavirusi.
Në një prononcim për mediat, Murrizi deklaroi se me miratimin e këtyre ndryshimeve është shkelur rregullorja e Kuvendit.
Sipas tij, deputetët kanë votuar një tjetër projekt dhe variant të Kodit Penal nga ai që u shpall i miratuar në fund.
“Do të depozitoj një padi në gjykatën Kushtetuese për ndryshimet e Kodit Penal të ardhur në seancë në datën 16 prill. Procedura e miratimit të ndryshimeve të kodit të procedurës penale është një procedurë flagrante në shkelje të rregullores së Kuvendit, çka do të thotë në shkelje të ligjeve të Kushtetutës të këtij vendi.
U habita si e dekretoi mbrojtësi i Kushtetutës, garanti i Kushtetutës, nuk po i them gardiani, ai e thotë vetë, atë lloj ndryshimi kur nenet u ndryshuan pasi kishte mbaruar votimi dhe pasi ishte votuar ligji në tërësi. Rregullorja e shpreh qartë që asnjë propozim nuk bëhet pasi ka filluar procedura e votimit. Mbasi ne kishim votuar tjetër projekt dhe variant kodi dhe tjetër u shpall i miratuar në fund. Kemi të kopsitur të gjithë procedurën e ndjekur hap pas hapi, kemi marrë edhe kasetën sa deputetë kanë qenë në Kuvend.
Dhe procedurën si ka ardhur kërkesa e presidentit në Kuvend po atë ditë por duhet 48 orë. Kam bërë të gjithë dokumentacionin gati në bazë të rregullores së Kuvend dhe po shkoj ta depozitoj në gjykatë Kushtetuese. Me këtë rast jo unë po shqiptarët të vërtetojnë edhe virgjërinë e Gjykatës Kushtetuese, sa e pa kapur e paprekur është nga lakejtë e çakejtë e politikës. Një pjesë betohen në buzë të Lanës një pjesë në floktore. Unë po shkoj ta dorëzoj”, tha ai.