Mëngjesin e kësaj të diele, rreth orës 5:00 është finalizuar aksioni për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Gjatë kohës që fadroma ka nisur shembjen e Teatrit, situata është tensionuar dhe ka pasur përplasje mes aktivistëve që ishin kundër shembjes dhe policisë.
Raportohet se forcat e policisë shoqëruan 26 persona mes të cilëve Neritan Liçajn, Edmond Budinën dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen më të fundit, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, Kreu i Qeverisë shprehet se “Tiranën nuk e ndalin dot”:
“Ishin kundër këndit të lojërave, pastaj kundër Sheshit Skënderbej, kundër pazarit të ri, kundër bulevardit të ri, kundër Arenës Kombëtare, kundër këndit të dytë në parkun e liqenit, kundër Kalasë së Tiranës, kundër Unazës së Madhe, kundër Parkut Rinia, kundër Teatrit të ri…janë të njëjtët. Ngrihen kundër çdo projekti në Tiranë, nuk e duan zhvillimin, por Tiranën nuk e ndalin dot”.