Kryeministri Edi Rama ka komentuar në emisionin “Opinion”, mundësinë e hapjes së kufijve. Ai zbuloi se në ditët në vijim, qeveria do të marrë një vendim për hapjen e kufijve tokësor me Greqinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera se dy rreziqet mbeten turizmi dhe transporti publik.
“Po shikojmë hapjen e kufijve tokësor me Greqinë dhe Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, është një vendim i vështirë që do e marrim në ditët në vijim. Por që do të jetë brenda majit. Dy rreziqet më të tmerrshme është turizmi të cilin nuk mund ta mbajmë mbyllur dhe e dyta është transporti publik.
Për hapjen e kufijve kam parasysh hapjen e kufijve për qytetarët shqiptarë, që janë në anën tjetër të kufirit. Natyrisht që kufiri me Kosovën është kufiri me një pjesë tjetër të qytetarëve shqiptarë.
Ne sot mund të sjellim në Shqipëri turistë më shumë se çdo herë tjetër. Kërkesat janë të pafundme nga vendet që përmende, Hungaria, vendet nordike. Çështja është a duhet apo s’duhet t’i sjellim? Janë qeveritë e tyre që thonë jemi gati t’i mbështesim turistët që të vijnë këtu, pasi Shqipëria ka situatën më të mirë. Por pyetja është a duhet apo jo?! Ne po synojmë një turizëm të brendshëm, ose me korridore”.