Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit që ka pasur me artistët, ka vendosur që mbrëmjen e sotme ta kalojë tek sheshi i Teatrit Kombëtar. Dega 4 e Partisë Demokratike në Tiranë, ka bërë publik këtë vendim të Bashës, dhe fton të gjithë qytetarët që ta shoqërojnë.
“Të nderuar demokratë dhe qytetarë të degës 4 Tiranë! Kryetari Basha sot do të qëndroj gjithë natën te Teatri Kombëtarë. Degën tonë e ka përzgjedhur që ta shoqërojë. Ju lutem me sa mundësi keni të mobilizohemi të jemi si i ka hije degës 4. Në orën 20:30 do të jemi në sheshin e Teatrit Kombëtare”, shkruhet në njoftim.
Vendimi në fjalë është ndërmarrrë pas takimit që u zhvillua në selinë blu, ku u diskutua për Teatrin Kombëtar. Të hënën Këshilli Bashkiak do mblidhet për të vendosur për godinën.
“Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, ditën e hënë, datë 18 maj 2020, ora 11, do ju paraqesim për diskutim projektin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.