55 plumba janë derdhur mbi dy vëllezërit Haxhia, të cilët u vranë në një atentat më 27 Prill në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla.
Ndërsa Gjykata e Durrësit ka dhënë të shtunën masën arrest me burg për dy të arrestuarit e dyshuar lidhur me këtë ngjarje, në konstatimin e Prokurorisë, vërehet se drejt mjetit të dy vëllezërve janë derdhur 55 plumba.
“Nga kqyrja e vendit të ngjarjes mbi asfalt dhe në afërsi të mjetit të viktimave u gjetën një sasi prej 55 gëzhojash armë zjarri, katër aparate telefonike celular në përdorim të viktimave. Nga kryerja e mëtejshme mjeti i viktimave ka rezultuar me dëmtime të shumta të përparme dhe xhamave anësor të makinës, në pjesë të kofanos dhe dyerve, janë formë virmash tejshpuese me drejtim nga jashtë- brenda”, thuhet në konstatimin e Prokurorisë.
Sipas të njëjtit dokument konstatohet se në trupin e viktimave ka patur dëmtime të shumta të shkaktuara nga armët e zjarrit, kryesisht në pjesën e kokës dhe qafës.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin me inicialet K.A. nga Durrësi, të cilët akuzohen jo vetëm për vrasjen e 27 Prillit, por edhe për vrasjen e kryer më 2 Mars në rrugën “Vath Truja”, në Durrës, ndaj Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë, shkruan “opinion”.