Itali ka pësuar një ulje të ndjeshme të numrit të viktimave nga koronavirusi, në krahasim me ditën e djeshme.
Rreth 100 viktima më pak janë shënuar sot në vendin fqinj. Sipas mediave vendase, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 437 persona, teksa një ditë më parë numri i personave të vdekur ishte 534.
Por në krahasim me dje, shihet një rritje e lehtë e rasteve të reja të personave të infektuar. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 3,370 raste infektimi, 639 raste më shumë se në bilancin e djeshëm.
Por edhe numri i të shëruarve është rritur, vetëm 2,723 në 24 orët e fundit, duke e çuar në 54,323 numrin total të personave që kanë arritur ta mposhtin COVID-19.
Ndërkohë në Lombardi që është më e prekura nga koronavirusi në Itali në 24 orët e fundit janë regjistruar 161 të vdekur, duke e çuar në 12,740 numrin total të vdekjeve në këtë rajon.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Itali janë regjistruar mbi 25 mijë viktima dhe më shumë se 187 mijë raste infektimi.
Italia është një nga 3 vendet më të prekura nga koronavirusi në botë bashkë me Spanjën dhe SHBA-të.