Ditën e hënë në Shqipëri pritet të nisë testimi serologjik. Lajmi është përcjellë mbrëmjen e djeshme nga mjeku i njohur Pëllumb Pipero, në një lidhje direkte në “Opinion”. Mësohet se fillimisht këto testime do të bëhen për grupet më të rrezikuara ndaj Covid-19, siç është stafi mjekësor në QSUT. Më pas testimi do të bëhet edhe për stafin mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Ky lloj testimi do të tregojë nivelin e antitrupave ndaj koronavirusit në stafin mjekësor. Ende nuk bëhet i ditur nëse ky testim do të bëhet për popullatën e gjerë.
“Për seriologjinë mendoj që jemi ende pak herët, edhe pse ka dëshmi që rritja e këtyre igm-ve dhe igg-ve fillon që nga dita e 7 në të 15, por igm-ja është më pak sensitive dhe igg-ja është më domethënëse. Por është shumë e rëndësishme për të ditur edhe sa ka qenë ekspozimi edhe si është mbrojtja dhe si do të jetë në vazhdimësi. Pra jemi pak herët, por ndoshta në kohë edhe për ta filluar, duhet menduar.
Më erdhi nje lajm i fundit që ditën e hënë nis analiza serologjike me personelin shëndetësor të QSUT-së, ndoshta edhe me të COVID 2. Është një lajm i mirë edhe për të parë ekspozim edhe për të parë nivelin e mbrojtjes, edhe për të ditur më shumë për situatën qarkulluese të virusit.
Besoj që në një javë analiza, mund të merren të dhena të rëndësishme për të marrë vendime se si do të vazhdojmë më tej”.
Në Shqipëri numërohen 518 të infektuar me koronavirus, 26 prej të cilëve kanë humbur jetën. Një 64-vjeçare ka ndërruar jetë mëngjesin e së enjtes, duke u bërë kështu viktima e 26 e kësaj pandemie në vendin tonë.