Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka dërguar kryeministrit ende në detyrë Albin Kurtit letrën e tretë, përmes së cilës i kërkon emrin për mandatarin.
Thaçi këmbëngul që qytetarët e Kosovës të kenë sa më shpejt qeveri të re.
“Do të ndërmarr këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë e cila kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetutës”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.
Ja letra e plotë e Presidentit për Kreun e LVV-së, e bërë publike nga “gazeta express”.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur kërkesën e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa për formimin e Qeverisë së re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën për Kosovën e Re dhe partitë që përfaqësojnë pakicat.
Kjo u bë e ditur përmes një shkrimi të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në Facebook:
“Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.