Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel tha në konferencën e shtypit të hënën pasdite (06.04.) në Berlin, se ende nuk mund të japë një datë, se kur do të zbuten masat e marra për ngadalësimin e përhapjes së COVID-19.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e quajti krizën Corona si “sprovën më të madhe në historinë e BE-së”. Të gjitha vendet anëtare janë të prekura njësoj.
Ndaj duhet të jetë në interesin e të gjithëve, që Europa ta përballojë këtë sprovë.
Përgjigja ndaj virusit mund të jetë vetëm një Europë e fortë me një eurozonë të fortë.
Është e rëndësishme të tregojmë, se ne jemi të gatshëm ta mbrojmë Europën tonë.
“Kjo vlen veçanërisht për vendet e Zonës së Euros. Gjermania është mirë vetëm nëse Europa është mirë”, theksoi kancelarja.
Ndaj përgjigja ndaj krizës duhet të jetë “me shumë Europë”, një Europë më e fortë dhe një “Europë mirëfunksionuese”.
Gjermania e gatshme të japë kontributin e saj
“Kur të jenë përballuar pjesët më të vështira të kësaj krize në sektorin shëndetësor, do të jetë i nevojshëm një program rigjallërimi, një program rindërtimi”, tha Merkel më tej.
“Do të nevojitet gjithashtu edhe një program rigjallërimi për ekonominë: Edhe në këtë drejtim Gjermania është e gatshme të japë kontributin e saj”, tha Merkel.
Në debatin për obligacionet europiane po shtohet presioni ndaj Gjermanisë.
Në prag të konsultimeve të ministrave të financave të BE-së të martën (07.04) krahas komisarëve të BE-së Paolo Gentiloni dhe Thierry Breton për të ashtuquajturat Corona-Bonds u angazhua me të njëjtën kërkesë edhe qeveria franceze për obligacionet e përbashkëta, që të vihen në përdorim për të luftuar pasojat ekonomike të pandemisë.
Qeveria gjermane është kategorikisht kundër të tilla obligacioneve.
Masat kufizuese në Gjermani mbeten në fuqi
E pyetur nëse tani që Austria ka planifikuar zbutjen e masave të vendosura kundër pandemisë Corona, po e shqyrton edhe Gjermania një opsion të tillë, Merkel theksoi, se qeveria gjermane ndërkohë i përmbahet linjës për të mos e fiksuar tek një datë për një vendim të tillë.
“Kjo do të bëhet në kohën e duhur dhe një gjë është e qartë, që kufizimet mund të zbuten hap pas hapi. Mbrojtja e shëndetit është në plan të parë në çdo masë që mendohet”, tha Merkel.
Angela Merkel i paralajmëroi qytetarët që të mos ndërmarrin udhëtime gjatë fundjavës së Pashkës. As pas mbarimit të ditëve të Pashkës nuk parashikohet zbutje e masave. /DW