Nga: Eduard Zaloshnja
Në datën 11 mars, kur sapo kishte filluar epidemia COVID-19, prezantova në emisionin Real Story të Sokol Ballës, tre projeksione të ndryshme të epidemisë deri fund të muajit mars, bazuar në të dhënat e tre vendeve, ku epidemia kishte javë që ishte përhapur – Kinës, Koresë dhe Italisë.
Duke e ditur se Korea kishte ndjekur një skemë ekstensive testimi për konfirmimin e rasteve me COVID-19 , skenari korean dukej i pamundur të zhvillohej në Shqipëri.
Prandaj bëra parashikimin se në fund të marsit, ne do të kishim një situatë diku mes projeksionit sipas skenarit kinez dhe atij italian.
Të dhënat e sotme zyrtare, tregojnë se vërtet jemi diku mes projeksionit sipas skenarit italian dhe atij kinez, si për rastet e konfirmuara me COVID-19, ashtu edhe për numrin e vdekjeve. Sidoqoftë, numerikisht, epidemia tek ne duket se ka ndjekur deri më sot një trajektore shumë më të afërt me atë kineze, se sa atë italiane.