Nga: Ben Andoni
Forca e përhapjes së pandemisë së Covid-19 ka zhvlerësuar gjithçka sikur nuk ka ekzistuar, pasi në rend të parë është gjëja bazike e jetës: mbijetesa. Dhe, mjafton çfarëdo lajmi lidhur me Covid-9, që e mbyt që në djep një lajm të mirë. Kështu ka ndodhur dhe me lajmin e fundit për Hapjën e Negociatave të Shqipërisë dhe M.V.
Një rezultat pozitiv, një gjetje, një lajm i bukur i brishtë mbytet sakaq nga statistikat e vdekjes, parashikimet ogurzeza të mjekëve, dalja e kryeministrit… dhe ai, Providenca e të keqes, përhapja galoponte e virusit vrastar që nuk do t’ia dijë për politika, civilizim, superfuqi dhe cinizëm. Virusi i padukshëm po e shndërron botën dhe të gjithë perceptimet e deritanishme për të, saqë politologët dhe sociologët bashkëkohorë duket se do kenë filluar të merren realisht me ato që kanë shprehur për stadin ku jetojmë sot.
Një paralele mund të hiqet me Shqipërinë dhe rrugën e saj të integrimit, që u zgjidh pak orë më parë në vetëm pak minuta për t’i hapur negociatat bashkë me Maqedoninë e Veriut. Në fakt, rezultati dihej qysh disa muaj më parë por u shty dhe u shty thjesht, që politikanët evropianë të gjenin paqe në vendet e tyre. Korrupsioni shqiptar, reformat, kanabizimi, mungesa e zgjedhjeve normale etj., nuk është se ndryshuan por ia ngritën sërish si kritikë atyre që miratuan Shqipërinë, edhe pse rezultati i atyre që vendosin ishte ky që ishte: Shqipëria është tashmë në udhën evropiane.
Është shumë e lehtë të anatemosh dhe të merresh me Ramën, që në këto kohë kur do i mjaftonte më mirë të jepte urdhrat dhe të braktiste televizionin, e kemi sërish me paralajmërimet që duken edhe më ogurzeza. Por, tek e fundit, qëlloi, që ashtu si Sali Berisha të ishte në kohën dhe në vendin e duhur. E për këtë politika e sfidon logjikën që kërkon pushtetin dhe anatemon. Fakti e mbyt argumentin dhe kjo është e vjetër sa vetë Bota. Pra, mund të udhëheqësh një vend me probleme, të jesh vetë pjesë e këtyre problemeve, por aman je aty në epokën e ndryshimeve dhe mu atëherë kur duhet.
“Kritika është diçka që mund ta shmangësh lehtë duke mos thënë asgjë, duke mos bërë asgjë dhe të mos jesh asgjë”, është një shprehje që i atribuohet Aristotelit, por që tashmë për fatin jo të mirë të kritikuesve jo të pakët në vend i shkon për shtat Ramës, që mëton se bëri shumë për rrugën evropiane. Ashtu si kritikuesit jo të pakët u munduan të nxinë Shqipërinë në kohën e Berishës, për anëtarësimin në NATO e marrjen e vizave.
Në këto ditë, dhe duke parë këtë procedurë sesi u anëtarësua Shqipëria të vjen të kujtosh vetëm një gjë: Duhet të heshtim dhe të kalojmë pandeminë. Kur të vij puna, para kutisë së votimit, t’i bindemi arsyes dhe jo tarafit. Urojmë që të mos gabojmë, ashtu si kemi vepruar deri më tani, jo pak herë.
Në demokraci dhe në këtë stad që jemi tashmë duhet të kuptojmë se lufta për pushtet bëhet brenda kanoneve demokratike, kurse kritikat brenda arsyeve, por kurrë duke e nxirë vendin për interesa meskine që nuk të përcjellin askund. Sepse dihet parimi kryesor sot është që të bësh marrëveshje me demokracinë në drejtim të normalitetit. Ka realisht shumë shpjegime për këtë kohë dhe politologët e sociologë të njohur e kanë treguar dhe këtë stad, që Covid-19, gjithsesi, po na e vë në dyshim…Por, ç’të thuash më. I kemi të gjithë të zezat, por të paktën sot, na janë hapur negociatat. A s’është mirë vallë ky lajm “i vockël” në këto kohë paniku?! (Javanews)