Kryeministri Edi Rama vijon të ndajë me qytetarët videot e pasojave që sjell koronavirusi.
Pas publikimit të pamjeve nga spitali i Bergamos në Itali, Rama ka shpërndarë në Facebook videon e një 39-vjeçareje nga Londra, e cila është shtruar në spital nga koronavirusi.
Me anë të kësaj videoje, Rama i drejtohet moshave të reja të cilat siç ka theksuar edhe më parë, nuk kujdesen shumë pasi kujtojnë se vetëm të moshuarit preken nga ky virus.
“39 vjeç, në Londër. Shikojeni dhe dilni xhiro nesër së do jetë kohë e bukur”, shkruan Rama krahas videos së shpërndarë.
Më herët Rama komentoi edhe numrin e madh të viktimave që u regjistruan 24 orët e fundit në Itali, duke u shprehur se italianët u tallën me masat kufizuese edhe nuk i respektuan ato.
Ai i bëri thirrje shqiptarëve që të mos përsërisin të njëjtin gabim.