Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes vijojnë punën e tyre, duke iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në këto kohë të vështira.
Ata kanë dorëzuar sot pako me ushqime për disa familje në zonën e Bubqit dhe Laçit. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në Facebook nga operacioni i tyre.
Rama bën me dije se iu janë shpërndarë ndihma banorëve të cilët janë të mbyllur në shtëpi, por edhe atyre që kanë mbetur pa një banesë që nga koha e tërmetit.
“Operacioni humanitar në Bubq e Laç, ku halli është i dyfishtë edhe me armikun që i detyron njerëzit të rrinë mbyllur, edhe pa shtëpi si pasojë e tërmetit.
Prandaj kush qahet pse po rri në shtëpi le të ndalojë qarjen, duke u kujtuar se ka të tjerë që as shtëpi nuk kanë në këtë luftë”, shkruan Rama krahas videos.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” do të vijojë të vizitojë zonat e tjera, ku ka nevojë për ndihmë në këto kohë vetëizolimi.