Shqipëria prej disa ditësh është në karantinë nga koronavirusi. Tashmë në fuqi kanë hyrë masat e reja shtrënguese, kundër përhapjes së koronavirusit. Vendi është totalisht i izoluar, e ndërsa qytetarët duhet që të respektojnë vendimin për të mos u grumbulluar masivisht.
Shqipëria është izoluar nga frika e virusit vdekjeprurës, për të cilën të gjithë shpresojmë të japë rezultat, për të frenuar sadopak përhapjen e COVID-19. Qeveritë në mbarë botën rritën kufizimet në jetën e përditshme dhe lëvizjen e njerëzve, në përpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Në këto orë ankthi që po përjetojnë shumë familje, kjo edhe për shkak të pamundësisë ekonomike, një shpresë e madhe vjen nga “Fundjavë Ndryshe”.
Shqipëria nën izolim nga koronavirus, “Fundjavë Ndryshe” ndihma për 8,000 familje në nevojë
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” vijon të shpërndajë pakot me ushqime, ndonëse këto ditë janë edhe më të vështira.
Heshtja ka pllakosur ngado, dhe frika se çfarë do ndodhë më tej i ka mbërthyer të gjithëve. Pakot e ndihmave janë shpërndarë filimisht në familjet që kanë jetimë, në ato që jetojnë në çadra e ku jetesa është e pamundur. Po kështu, në ato familje që jetojnë në varfëri ekstreme.
Një rol me mjaft peshë në këto ditë të vështira për mbarë popullin shqiptarë kanë luajtur bamirësit, të cilët nuk janë kursyer! Pa harruar edhe stafin e “Fundjavë Ndryshe”, pa të cilët kjo sipërmarrje nuk mund të arrihej.
Ja çfarë shkruan drejtuesi i ‘Fundjavë Ndryshe’, Arbër Hajdari:
“Vijojmë me shpërndarjen e ndihmave. Fillimisht me familjet që kanë jetimë, me ato që jetojnë në çadra, ato që jetojnë në varfëri ekstreme, me moshën e tretë. Këto ditë të vështira, është një numër i madh njerëzish që kanë nevojë, do tju lutesha të na mirëkuptoni, dhe të na mbështesni.
Dua të falenderoj bamirësit, por edhe stafin e ‘Fundjavë Ndryshe’, që këto ditë të vështira janë pranë jetimëve, e jo pranë familjeve të tyre. Shpresoj që gjatë kësaj kohe, të na krijohet mundësia, që të mbledhim ndihma dhe të rrisim numrin e përfituesve nëpërmjet bamirësve. Kam marë mijëra mesazhe, në pamundësi për t’ju përgjigjur të gjithëve, dua tju them se po bëjmë gjithçka kemi në dorë, për të mbërritur atje ku nevojat janë më të mëdha. Lus Zotin të jeni të gjithë mirë dhe sa më shpejt ta kalojmë këtë situatë”.