Një mësues në Korçë është infektuar me koronavirus. Ai jep mësim në një shkollë private. Ky rast është zbuluar pas një mesazhi që drejtuesit i kanë dërguar prindërve, duke i njoftuar se një pjesëtar i stafit ishte i konfirmuar me koronavirus. Mësuesi në fjalë është shtruar në një spital në Greqi, bën me dije “abcnews.al”.
Në mesazh, drejtoria i këshillon prindërit që të bëjnë kujdes, pasi mund të jenë infektuar, edhe pse mundësia sipas tyre është e ulët.
“Shkolla jonë u mbyll ditën e hënë, 4 ditë para se të shfaqej rasti, dhe ishte e vetmja ditë që dikush prej stafit dhe fëmijëve mund të ketë erdhur në kontakt me personin e infektuar, i cili nuk ishte në dijeni për problemin deri ditën që iu shfaqën shenjat e para dhe shkoi në spital, ku pas analizave rezultoi pozitiv.
Duke pasur parasysh dhe propabilitetin më minimal të një infeksioni të mundshëm, jemi të detyruar t’iu vëmë në dijeni që të jeni më vigjilentë në lidhje me shëndetin tuaj dhe të ndiqni udhëzimet e mëposhtme, në rast se keni një prej shenjave të bëra publike e që lidhen me infektimin nga ky virus. Më poshtë kemi udhëzimet e Organizmit Kombëtar të Shëndetit Publik”, shkruhet në njoftimin e shkollës.
42 persona të dyshuar me koronavirus janë testuar në 24 orët e fundit në Shqipëri. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, njoftoi këtë të martë se pozitivë kanë rezultuar 4 raste, duke e çuar numrin në 55 me COVID-19.
25 pacientë janë shtruar në Spitalin Infektiv, ndërkohë 3 prej tyre vazhdojnë të jenë në terapi intensive. Bino njoftoi se një prej qytetarëve është me respiracion të drejtuar. Pjesa tjetër e personave të shtruar është në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.