Prej ditës së djeshme po përflitet për një letër që Kreu i Shtetit, Ilir Meta, i ka dërguar Komisionerit për Zgjerim në lidhje me çeljen e negociatave për Shqipërinë, ku thuhet se flet me nota negative për vendin.
Një reagim është pasuar nga ana e kryeministrit Rama, i cili shkruan se kjo është hera e parë në historinë e BE, që një president flet keq për vendin e tij.
“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit. Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin. Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh,as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!”, shkruan ai në Twitter.
Nisur nga kjo përplasje, një kundërpërgjigje ka ardhur nga Presidenca, e cila njofton se presidenti Ilir Meta do të dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“TaoRama do ta marrë përgjigjen direkte nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sot në ora 11:45, në një konferencë për mediat”, shkruan në Facebook Tedi Blushi.
.