Më 11 shkurt 1920 Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i marrë në Kongresin e Lushnjës. Kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e organizuar në nder të 100 vjetorit, tha se Tirana është me aspirata për t’u bërë një qytet modern dhe evropian.
Por, midis të resë edhe modernizmit që i referohet kryebashkiaku, ka nga ata nostalgjikë të cilët e kundërshtojnë. Të cilët thonë se identiteti arkitektonik dhe kulturor i Tiranës është duke u zhdukur.
Skenografi i mirënjohur Bashkim Zahaj në një intervistë për Tirana Today flet për qytetin e tij të lindjes dhe metamorfozën që i ka ndodhur sot. Me nota trishtimi denoncon atë që sipas tij është një shkatërrim i kryeqytetit.
“Që një qytet të jetë modern, duhet të njohë konceptet. Ne nuk kemi konceptet e zhvillimit modern të një qyteti. Tirana ka pasur shumë hapësira nga pallati në pallat. Ka pasur shumë sipërfaqe në tokë me lulishte. Dhe ka patjetër vlera të jashtëzakonshme, të cilat nuk duhet t’ia zhdukim. Më bëri shumë përshtypje se si është lënë ish-Radio Tirana.
Po cili shtet mund ta linte në atë lloj mënyre?! Ajo është një pjesë e historisë sonë. Bota i ruan të gjitha gjërat që e afrojnë me memorien, që afrojnë kulturën, zhvillimin. Dhe Tirana ka pasur shumë dëshmi të tilla. Ata që vijnë në pushtet dhe nuk kanë lindur e nuk janë rritur në Tiranë, ia ndjen pak ose aspak që këto elemente të ruhen.
Bashkia ka në dorë shumë për të zgjidhur dhe për ta rregulluar jetesën këtij qyteti. Është absurditet, sepse bashkia luan shumë me gënjeshtrat. Luan në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe aty bien viktima shumë, madje dhe intelektualë. Ti nuk mund të jesh armiku im, është e pamundur.”
Teksa kullat kanë qenë një nga çështjet më të debatuara, Zahaj shprehet për Tirana Today se shumë prej objekteve të reja që janë ndërtuar në qytet, janë të vjedhura nga artistë që i kanë implementuar në shtete të tjera.
“Sa shumë objekte janë të vjedhura në Tiranë. Mos mendoni se këto objekte të reja janë origjinale, jo ato janë të vjedhura nga autorë të tjerë. Qyteti ynë ka nevojë për rrugë të reja dhe ato ndërlidhëse mes lagjeve. Ato nuk janë dhe sigurisht që mund të hapen. Nuk është modern një qytet që mendon se nëse do të heqë stadiumin Qemal Stafa, që kishte një histori.
E të zëvendësohej me një kullë dhe stadium që ngjan si një fole zogjësh. Shihni si po e kthjenë Parkun Rinia, me kodra dhe me dhe të grumbulluar. Dhe jo funksionalë, sepse ku do të kalojnë nënat me me karroca, apo të mos shohim fëmijët kur kalojnë matanë kodrës. Është bërë beton i gjithi, ku do të ulen njerëzit?!”
Nëse do të ishte një skenografi gjigande, për Zahajn, Tirana të ofron një pamje të shëmtuar. Por, sipas tij nuk është qyteti që e ofron këtë gjë, por papërgjegjësia e vendimmarrësve të cilët kanë abuzuar ndër vite.
“Tirana nuk është më një qytet social sepse hapësirat sa vijnë e po ngushtohen. Ju e keni parë kullën përballë Kishës, ajo është pothuajse mbi trotuar. Unë nuk jam kundër ndërtimit modern, apo kullave. Por, kur ato ndërtohen dhe ka hapësira. Mirëpo, çështja është që ne lakmojmë fitimet. Tek marrëdhëniet e errta midis ndërtuesve dhe aprovuesve. Dhe janë duke na e bërë Tiranën shumë të shëmtuar. Me ngjyrat që vendosin, me fasadat, sigurisht që po kthehet në një qytet shumë të shëmtuar.”/ TIRANA TODAY