Operacionet e policisë për arrestimin e personave që dyshohet se urdhëruan dhe rrëmbyen Jan Prengën, janë zhvendosur nga Shijaku në Shkodër. Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Opinion”, ka zbardhur se çfarë përmban videoja që ka në dorë policia mbi torturimin e 49-vjeçarit.
“Dyshimet që hodhëm ne këtu në emision, lidheshin me faktin se si policia provonte faktin e vdekjes së Jan Prengës. Në bodrumin e resortit, kanë qenë të instaluara kamera me rezolucion të lartë dhe kanë filmuar çdo gjë.
Të gjithë kamerat e tjera të resortit janë të shkatërruara. Këtë nuk e di nëse kamera në bodrum ka qenë e vendosur nga policia, apo nga pronarët e resortit. Ka një material të gjatë filmik, që kur hyn Range Rover, nxjerrja e trupit. Ata e kanë nxjerrë trupin, e kanë zhveshur, i kanë zhdukur rrobat.
E kanë futur në një furgon të mbyllur. Të gjithë personat që janë marrë me këtë pjesë kanë ndërruar rrobat e tyre, janë pastruar me… Ata kanë dalë nga resorti, fugoni është ndjekur me dron në lartësi, dikur në fshatin Pjesëz është humbur kontakti me furgonin. Atu është regjistruar edhe makina Range Rover, nga kamera e një servisi. Trupi është nxjerrë në orën 20: 38. Mbi bazën e atij materiali filmik janë identifikuar të gjithë personat që janë marrë me rrëmbimin dhe torturimin e Jan Prengës.
Nga hetimet e deritanishme, janë arrestuar 5 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Pak më herët, Policia e Shtetit hodhi poshtë publikimet në media se Jan Prenga u torturua dhe vdiq pas dhunës brenda resortit “Golden” në Shijak. Në një njoftim zyrtar për mediat, Policia bën me dije se grupi hetimor pasi mori informacionin nga policia, krijoi bindjen se Jan Prenga mbahej në kompleksin e Altin Hajdit, dhe në këtë moment “u hartua plan-operacioni dhe u zhvillua operacioni policor i koduar “Resorti”.
Policia hedh poshtë të gjitha artikujt në media, se Jan Prenga u fut i gjallë në resort dhe u torturua në garazh. “Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P. ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete”, sqaron Policia e Shtetit.