Një plagosje me armë është regjistruar sot në orët e para të mëngjesit në Delvinë.
Sipas policisë, shtetasi K.N., ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M.D., 48 vjeç, banues në Mirditë. Konflikti mësohet të ketë nisur për arsye banale, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Kopaçëz, Delvinë, shtetasi K. N. ka plagosur në këmbë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. D., 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta e profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar K. N., 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip kallashnikov, me të cilën ka kryer plagosjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.
Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.