Policia italiane ka arrestuar një shqiptar, i cili do të nisej nga aeroporti i Pescara drejt Londrës me dokumente false.
Gjatë kontrollit të dokumenteve të pasagjerëve, në kartën e identitetit të të riut lindur në vitin 1985 në Foggia, rezultoi diçka e dyshimtë. Në momentin kur kontrollorët nisën që ta pyesnin lidhur me udhëtimin, shqiptari ngriti dyshime.
Karta e identitetit e shqiptarit iu nënshtrua verifikimeve me pajisjet e pranishme në aeroport, ku u zbulua se ishte dokument fals. Më pas, nga kontrolli në bagazhet e tij u gjet edhe pasaporta e tij shqiptare me identitetin e vërtetë.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se shqiptari kishte hyrë në Itali me pasaportën e tij shqiptare dhe më tej kishte siguruar dokumentin italian të falsifikuar.