Sekretari organizativ në PD, Eno Bozdo, i ftuar në “Real Story” e ngarkoi me ‘përgjegjësi morale’ ministren Xhaçka, lidhur me pasojat fatale të tërmetit të 26 nëntorit, duke e pyetur nëse i ka shkuar ndër mend të japë dorëheqjen.
“A mbani ju përgjegjësi minimalisht morale zonja ministre? Ju ka vajtur ndonjëherë në mend që të jepnit dorëheqjen? Pres një minimum ndershmërie, sepse ju keni dhënë para kryeministrit dhe kryeministri ka dhënë garanci në konferencë shtypi, pasi bëri bilancin e 21 shtatorit. Ju personalisht a ju shkon ndër mend të jepni dorëheqjen apo jo?”, tha ndër të tjera ai.
Në një lidhje “Live”, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se institucionet dhe reagimi i tyre pas tërmetit ishte i duhur dhe shumë më i mirë nëse kjo do të kishte ndodhur një vit më parë.
“Më duhet të them se nuk jam dakord me ju z. Balla dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Asnjë fatkeqësi nuk i kap dot të gjithë plotësisht të përgatitur, qofshin këto edhe superfuqi botërore.
Mund të them se na kapi më të përgatitur se një vit me parë, pasi sot kemi një sistem më të mirë që bën të mundur menaxhimin dhe përballimin e këtyre emergjencave që nga pushteti vendor me zjarrfikëset, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe me të gjitha strukturat e saj. E deri tek pushteti qendror me policinë, mjekët, e urgjencat.
Ajo që kemi bërë me reformën në emergjencat civile është që kemi ngritur një sistem shumë më efektiv të koordinimit të gjithë këtyre aktorëve dhe përgjegjësinë që duhet të marrë secili prej tyre në përballimin e këtyre fatkeqësive. Nëse këtë reformë do e kishim 10 apo me 15 vite më parë, sot do kishim një gjendje tjetër”, u shpreh Xhaçka.