Ka përfunduar takimi mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës.
Sipas mediave kosovare, në këtë takim nuk është mundur të arrihet asnjë marrëveshje në lidhje me formimin e qeverisë.
Në prononcimin e tij për mediat pas takimit, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa nuk ka dhënë asnjë koment se cilat janë mosmarrëveshjet që po pengojnë formimin e koalicionit.
“Takimi në mes dy liderëve që ka filluar në orën 17:00 tanimë ka përfunduar. Të dy liderët janë pajtuar për intensifikim të takime deri në arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë”, tha ai.
Nga ana tjetër edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke u shprehur se dy liderët kanë rënë dakord për intensifikim takimesh.
“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e VV’së.