Ish-presidenti Bamir Topi, ka deklaruar se presidenti Meta nuk mund të shpërndajë Parlamentin, pasi vendi nuk është në krizë ekstreme të mosfunksionimit. Deklaratat e Kreut të Shtetit, Topi i ka cilësuar si pjesë e një retorike politike.
“Presidenti mund ta shpërndajë Parlamentin, vetëm në raste ekstreme të mosfunksionimit. Unë besoj se është pjesë e një retorike politike”, tha Topi. Në lidhje me krizën në vend, Topi e ka quajtur individuale mes aktorëve politikë, dhe jo mes institucioneve.
“Bie dakord me pohimin që krizat vijnë, riciklohen. Ka vite që diku qetësohet. Jemi në një krizë reale. Disa nga aktorët kanë tentuar që ta mohojnë. Politika në Shqipëri është e sëmurë.
Unë do të ktheja në kujtesë momentin kur përplasja mes Berishës dhe presidentit u bë e dukshme. Në 21 prill 2008. Kompetencat presidenciale janë po njësoj, por ka ndryshuar mjeti i presidentit ndaj Parlamentit.
Çdo mazhorancë mund të zgjedhë edhe presidentin. Ajo që e vuan është arkitektura institucionale e shtetit. Derisa palët janë në një betejë politike, secili është në pozicionin e vet. Ne kemi simptoma të qarta të një republike kryeministrore. Unë mendoj që këtu beteja politike ka dalë në shesh. Dy duar për një kokë. Nëse mazhoranca tenton ta përdorë politikisht, secili përdor mjetet e veta. Dikur kishim përplasje, por institucionet ishin në këmbë. Unë mendoj të mos e personalizojmë. Sot po përplasen individët dhe jo institucionet. Unë nuk mund t’i jap këshillë presidentit. Ne e kemi pasur shumë te lehtë. Unë kam qenë i bindur që nuk do arrija gjë. Problemet kushtetuese i takojnë institucioneve”, u shpreh Topi.
Topi tha se nuk është ftuar institucionalisht nga presidenti Ilir Meta, për të folur lidhur me këtë krizë. Ndërsa shtoi se nuk do e refuzonte një ftesë të tillë. “Kjo varet nga z. Meta, nëse ai do të më ftojë, do jem i pranishëm”, tha ai.
Prapaskenat/ Meta e opozita vënë me ‘shpatulla pas murit’ Dvoranin