Kryeministri Edi Rama deklaroi në Samitin e Ohrit se fillimisht vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hapin kufijtë me njëri-tjetrin, më pas të presin nga Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe homologun e tij maqedonas Zoran Zaev, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se “jemi lagjja më e varfër e Europës”.
“Jemi lagjja më e varfër e Europës dhe duam të integrohemi në lagjen e pasur. Lagjja e pasur ka interesat e veta.
BE e thotë troç nuk kemi të merremi me ju, kemi hallet tona. Ata duan të ndajnë përfitimet e tyre. Është një klub interesash. E keni dëgjuar Macron kur thotë nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me 34. Çfarë duhet të bëjmë ne? Çfarë do presim.
Tani ne do rrimë dhe t’i vëmë minat njëri-tjetrit dhe çfarë do përfitojnë anëtarët e familjeve tona, vetëm atë që do integrohen në BE individualisht, do marrin rrugën dhe do shkojnë atje. Ky është një proces normal ku e vetmja e re është se nuk na ka mbledhur Hahn. Ata sot akoma nuk kanë krijua qeverinë e BE sepse nuk merren vesh”, u shpreh Rama.