Nga Anxhela Ferra
Shprehja që të gjithë dëgjojmë më shpesh gjatë ditës është “nuk ka punë”. Të shumtë janë njerëzit të cilët ankohen se vendi ynë nuk i ofron mundësitë për tu punësuar. Por, pavarësisht papunësisë së lartë, sërish numri i kafeneve në vend është po kaq i lartë. Madje, Shqipëria konsiderohet si vendi me më shumë kafene.
Por, a do të thotë kjo se ne jemi një popull dembel? Për shumë qytetarë të cilët flasin për Tirana Today, kjo është një mendësi e gabuar. Kjo pasi sistemi qeverisës nuk ofron mundësi punësimi për njerëzit dhe rrjedhimisht ata janë të pafuqishëm për të ndryshuar këtë realitet.
“Janë punëtorë shqiptarët, por mobilizmi është shumë i dobët, qendrat e punës janë shumë të larguara. Dhe papunësia bën që shqiptarët të rrinë nëpër kafe. Nuk mobilizohet shteti dhe sigurisht që shqiptarët nuk kanë faj. Ata kanë kërkuar punë, i është premtuar dhe nuk i është realizuar.”
“Ata janë punëtorë, por politika është shumë e lodhur. Duhet të ndërrojë, shqiptarët nuk kanë asnjë faj. Sepse një bari i mirë që prin kopenë, nuk e çon në humnerë, por e çon drejt majës.”
“Jo, shqiptarët nuk janë punëtorë. Ata punojnë vetëm jashtë dhe ky është një problem, sepse është çështje mentaliteti.”
“I miri i botës, i keqi i shtëpisë!”
Shqiptarët njëkohësisht janë edhe populli i cili sipas INSTAT-it, punojnë me orë të gjata më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër. Të dytët në botë pas Meksikës, me mbi 2200 orë pune në vit. Por, pse ankohen se nuk ka punë? Sipas qytetarëve të pyetur nga Tirana Today, shqiptarët janë punëtorë kur janë të punësuar në vende të tjera dhe jo në Shqipëri.
Kjo lidhet me problemet e shumta që e shoqërojnë sektorin e punësimit, që nga pagat, mosrespektimi i të drejtave, mos sigurimi i plotë shoqëror, etj. Ndaj, në vende të tjera ku punëtori respektohet dhe i sigurohen të gjitha kushtet, edhe produktiviteti i punës rrjedhimisht është më i lartë.
“Punëtorë janë shqiptarët, por jo për veten, por për botën. Ai kudo ku vete punon. Ndërsa për vendin e vetë është si ajo shprehja “i miri i botës, i keqi i shtëpisë”.”
“Këto që kanë ngelur këtu janë krejt dembela. Ankohen kot, sepse punë ka por këta kërkojnë të kenë lekë sa pronari. Ama sa pronari nuk mund të marrin. Asnjëherë. Do t’i marrin lekët nga vëllezërit, motrat dhe nga njerëzit e tjerë. Rrinë e hanë këtu.”
“Pagesat mund të jenë të vogla, por shqiptarët nuk është se nuk janë punëtorë. Jashtë paguhen, punojnë për 1 mijë euro ndoshta. Dhe nëse e këtu do të paguhej, ai do të merrte e do të punonte tokën nga Kombinati në Kinostudio. Por, ai këtu nuk paguhet dhe nuk e bën. Pavarësisht se duket sikur nuk punon, i sheh të veshur mirë dhe lekë për kafe kanë. Ndaj, pa gjë nuk janë.”
Devotshmëria dhe vullneti i shqiptarëve të cilët janë emigrant tregon më së miri që nuk jemi popull dembel. Madje, shtypja që kemi pësuar ndër vite na ka bërë një popull kryesisht të përulur dhe që i duhet të luftojë, ndoshta më shumë se të tjerët. Por, mungesa e shpresës që ka kapluar moshën e mesme dhe të rinjtë, ka bërë që të stepen dhe të bien në gjendje “vegjetative” në vendin tonë. Duke mos kërkuar punë, apo edhe pranuar në disa raste ato që i ofrohen./ TIRANA TODAY