Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbështet protestën e fermerëve, e cila pritet të zhvillohet ditën e mërkurë.
Në një deklaratë për mediat, teksa i konsideroi minimale kërkesat e fermerëve adresuar qeverisë, Kryemadhi u shpreh se mund të realizohen shumë lehtë.
“Kërkesat e fermerëve janë minimale. Ata po kërkojnë rregullat e lojës të cilat i kanë pasur dy vite më parë, nuk po kërkojnë asgjë më shumë. Kërkesat e fermerëve janë shumë të thjeshta për t’i kuptuar edhe për t’i realizuar”, theksoi Kryemadhi.
Nga ana tjetër, ajo u shpreh se LSI ka një program të qartë për mënyrën e subvencionimeve në bujqësi.
“Fermerët shqiptarë kërkojnë subvencionim sipas prodhimit. Metodë të cilën e ndjekin të gjithë vendet fqinjë, të cilët janë edhe konkurrentët direkt të fermerëve tanë.
LSI ka një program të qartë për mënyrën e subvencionimeve në bujqësi, për bërjen e kartës së fermerit, që do ndihmojë ata për rimbursimet e TVSH. Kemi një program të qartë për blegtorinë”, përfundoi Kryemadhi.