Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, është shprehur i bindur se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme në pranverë. “Në analizën time, vendi do të shkojë në zgjedhje në pranverë se s’bën. Ndërkombëtarët lënë të kuptohet se reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë urgjente. Një njeri që lexon gjuhën e padeklaruar të ndërkombëtarëve, besoj se do të arrinte në këtë përfundim”, tha më tej ai, teksa ishte i ftuar në studion e ‘’News 24’’.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, ai u shpreh besimplotë se palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bërë reformën zgjedhore. Ai shtoi më tej se për ta bërë atë realitet, palët fillimisht duhet të shprehin vullnet të qartë, dhe këtë qëndrim më pas duhet ta materializojnë.
Duke folur për modelet e sistemit zgjedhor, ish-ministri i Jashtëm, deklaroi se ai personalisht mbështet sistem proporcional me lista të hapura, dhe se sistemi maxhoritar nuk i përshtatet gjendjes aktuale ku ndodhet Shqipëria.