Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, në një intervistë ekskluzive për “Report Tv”, ka thënë se ekziston një rrezik që klima politike në Shqipëri të rindizet pas JO-së së negociatave.
Po kështu ai është i mendimit se tashmë është nevoja për bashkim kombëtar nga të gjitha palët, duke pasur prioritet vetëm integrimin.
Soreca ka shprehur entuziazmin që të dy kahet politike kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj integrimit në BE, ndërsa mbetet me shpresë që fjalët do të përkthehen në vepra.
“Ekziston një rrezik, por unë mendoj që mesazhi ynë duhet të jetë që puna të vazhdojë. Siç e thashë edhe më parë, ka pasur detyra shtëpie për të bërë përpara të premtes, dhe ka ende detyra shtëpie për të bërë, gjëra që janë identifikuar fare qartë në përfundimet e Këshillit të BE-së që në vitin 2018 dhe që mbeten detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë Shqipëria.
Unë i kam mirëpritur deklaratat që janë bërë, jo vetëm nga kryeministri, por edhe nga udhëheqësi i opozitës, z. Lulzim Basha, menjëherë pas mosvendimit të së premtes, pikërisht që fjalët u përqendruan te detyrat e shtëpisë.
Pra, ka shumë për të bërë. Ekziston nevoja për bashkim kombëtar nga të gjitha palët. Të gjitha palët duhet që të kenë parasysh objektivin primar, parësor të Shqipërisë, i cili është pra, anëtarësimi në BE duke iu përgjigjur kështu kërkesës së vetë qytetarëve shqiptarë.
Dhe besoj që të gjithë biem dakord, dhe jam i kënaqur që shoh që të dyja palët, të dy kahet politike kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj integrimit në BE dhe besoj që këto fjalë tashmë do të përkthehen në vepra, në një plan veprimi për të gjitha ato gjëra që duhen arritur, që duhen kryer për të kaluar te rendez-vous-ja e radhës në maj”, tha Soreca.