Franca nuk duket se do të ndryshojë qëndrim në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Këtë lajm e ka konfirmuar për emisionin “Opinion” korrespondentja nga Brukseli, e cila u shpreh se ky ishte informacioni i fundit që ajo dispononte.
“Lajmi i fundit që më ka ardhur enkas për emisionin “Opinion” është që Presidenti i Francës nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është konfirmimi që kam marrë enkas për ju”, tha gazetarja Erisa Zyka.
Sipas saj, edhe Danimarka mbetet skeptikë në lidhje me vendin tonë, teksa shton se ajo ka insistuar që Shqipëria të ndahej nga Maqedonia e Veriut në këtë proces. Ndërkohë, edhe Spanja mbetet gjithashtu skeptike si pasojë të aktivitetit të grupeve kriminale në atë shtet.
“Danimarka e cila ka insistuar për të ndarë vendimmarrjen për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, pasi sipas saj mund të kishte një mundësi për t’i dhënë dritë jeshile Maqedonisë së Veriut, por Shqipëria nuk ka plotësuar kriteret dhe përderisa kriteret nuk janë plotësuar, sidomos ato lidhur me forcimin e shtetit ligjor, me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë Danimarka qëndron me të vërtetë kundër. Edhe Spanjën e kemi pasur skeptike sepse ajo ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë të grupeve kriminale shqiptare, sidomos me trafikun e drogës kohët e fundit dhe e ka ndjerë këtë”, deklaroi gazetarja.