Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës Stef Blok ka deklaruar se qeveria holandeze konsideron se nuk duhen hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Shqipërinë.
Deklaratën e mësipërme Blok e ka bërë në komisionin parlamentar për çështjet evropiane të Parlamentit holandez teksa ishte pyetur nga deputetë, nëse duheshin hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë ose jo, raporton “abcnews”. Blok nuk e ka shtjelluar përgjigjen e tij, duke lënë të paqartë nëse Holanda do të vendosë veton për Shqipërinë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në 15 tetor apo samitin e liderëve evropianë në 18 tetor.
Mirëpo ai ka lënë të kuptohet se qëndrimi i qeverisë holandeze mbetet i pandryshuar. Qeveria holandeze ka konfirmuar kështu mbajtjen në fuqi të mocionit të Parlamentit holandez kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë të aprovuar në qershor të këtij viti.