Rama po mban një takim me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Emergjencës Civile, Rezervës së Shtetit dhe të gjithë prefektët e vendit. Ai apeloi ndaj të gjithë ministrave, prefektëve dhe kryetarëve të bashkive në vend, që të drejtohen që të gjithë në Durrës, aty ku ishte epiqendra e tërmeteve. Kryeministri kërkoi që të inspektohet çdo plasaritje, e ndërsa fokusi do të jetë për çdo familje në Durrës. Shefi i qeverisë tha se duhet që të kontaktohen të gjitha familjet që janë dëmtuar.
“Faleminderit për gjithçka që është bërë, punë mbresëlënëse nga pikëpamja e organizimit. Meriton vlerësim struktura e emergjencave civile dhe po ashtu çdo strukturë tjetër që ka bërë detyrën e vet, por nuk ka harruar të informojë. Sepse në këtë situatë, informacioni është baza.
Tani sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndier më shumë goditjen, dhe janë akoma në efektin e atij stresi, është një ditë për t’u qëndruar afër dhe për t’iu sqaruar aspekte të thjeshta.
Plasaritjet e godinave, jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik, pasi janë sipërfaqësore, ashtu sikur nuk është çarje pallati kur në një pallat të goditur nga tërmeti funksionon fuga sizmike, janë ndarje të brendshme strukturore të parashikuara për tërmetin, për të amortizuar tërmetin.
Çdo plasaritje të inspektohet, dhe çdo cënim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet, pasi mund të jetë reagimi i ‘fugës sizmike’, por mund të jetë edhe cënim strukturor që e bën të rrezikshëm.
Kështu që unë do të kërkoja si gjë të parë, të gjithë të spostohemi në Durrës, me një synim. Çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit, dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë, të kontaktohet.
Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të policisë. Brenda ditës së sotme para se të vijë nata duhen kontaktuar të gjithë. Do të angazhohen edhe deputetët edhe ministrat”, tha Rama.