Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kryeministri Rama u ka kërkuar deputetëve angazhim maksimal në fushatën e zgjedhjeve të brendshme në PS. Raportohet se Rama i ka kërcënuar, në rast se ata nuk tregojnë angazhim. Sipas tij, disa prej deputetëve s’kanë dijeni ku i kanë zonat elektorale, dhe çfarë kërkesash ka elektorati i tyre, ç’ka sipas tij është e patolerueshme.
Burime të ‘Dosja.al’ kanë zbardhur porositë e kryesocialistit Rama, i cili u tregua i ashpër ndaj grupit të tij të deputetëve. Rama mësohet se u ka “tërhequr veshin” deputetëve lidhur me kontaktin që ata kanë me qytetarët, dhe punën që ata bëjnë në zonat që përfaqësojnë.
“Partia Socialiste s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vetë. S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra, sepse do shkojmë të humbim.
As Partia Socialiste e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit.
Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen. Mbajeni mend, që do humbim pushtetin nëse vazhdojmë kështu.
Ju mbajeni sa të doni, se unë s’do pres fundin e as ju. Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar, dhe karriera në këtë grup”, është shprehur kryeministri.